RMV, pothuajse 18 përqind e vdekjeve në vend janë si rezultat i ndotjes së ajrit

Në Maqedoni ka 3.828 vdekje në vit që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë totale në vend, sipas raportit të fundit të titulluar “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet shëndetësore”, e cila është përgatitur nga Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për siguri të ujit, sanim i mjedisit jetësor dhe ekotoksikologji shëndetësore, në Institutin e Shëndetit Publik (IShP), transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të raportit, vlerësohet se 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD) i atribuohen nivelit aktual të ndotjes së ajrit, që paraqet 18,1 përqind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni. Për sa i përket goditjes në tru, deri në 378 vdekje në vit mund t’i atribuohen ndotjes së ajrit.

“Ndotja e ajrit konsiderohet kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njerëzve në botë, me shtatë milionë vdekje në mbarë botën çdo vit. Ndotja e ajrit shkakton dhe përkeqëson një sërë sëmundjesh, duke filluar nga astma te kanceri, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës. Ndotja e ajrit të ambientit dhe grimcat, një nga komponentët kryesorë të ajrit të ndotur, janë klasifikuar si kancerogjene për njerëzit nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime për Kancerin”, thotë doktoresha Dimovska.

Në rajonin evropian, pothuajse çdo individ është i prekur nga ndotja e ajrit, me mbi 90 përqind të qytetarëve të ekspozuar ndaj niveleve vjetore të grimcave në ajrin e ambientit që janë mbi vlerat kufitare të Udhëzimit të Cilësisë së Ajrit të OBSH-së.

“Njerëzit në Maqedoni, dhe në përgjithësi njerëzit nga Ballkani dhe Evropa Lindore, thithin ajër më toksik të ndotur me grimca të pezulluara sesa fqinjët e tyre në Evropën Perëndimore. Rajoni i Ballkanit është shtëpia e shumë njësive me qymyr dhe linjit, si dhe 7 nga dhjetë termocentralet më ndotëse me qymyr në Evropë. Nëntë në dhjetë njerëz thithin ajër që tejkalon udhëzimet e OBSH-së që përmban nivele të larta të ndotësve, me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që vuajnë ekspozimin më të madh. OBSH pretendon se 56 përqind e qyteteve në vendet me të ardhura të larta nuk përmbushin udhëzimet për cilësinë e ajrit”, shton doktoresha.

Ajo shpjegon se vetëm grimcat PM2.5 dhe ato më të vogla mund të depërtojnë përmes mushkërive, të cilat janë dera e hyrjes për to, ndaj dhe efektet e para janë kolla, shtrëngimi në gjoks, mungesa e ajrit.

“Ata, duke hyrë në qarkullimin sistemik, pastaj fjalë për fjalë depërtojnë dhe sulmojnë të gjitha indet dhe organet. Më së shumti vuajnë enët e gjakut, sidomos ato të zemrës dhe trurit, por edhe enët periferike. Prandaj rekomandimet tona për grupet e rrezikuara të popullatës janë që kur ajri është i ndotur të mos dalin në shëtitje dhe blerje”, sqaron dr. Dimovska.

Si të mbrohemi? Për këtë pyetje ajo rekomandon që para daljes të kontrollojmë indeksin e cilësisë së ajrit, të mbajmë maskë, por jo kirurgjikale, sepse na mbron nga grimcat e vogla PM-2.5, por vetëm nga ato më të mëdha.

“Duhet të përdorni maskë FFP2 ose KN95, por është gjithashtu shumë e rëndësishme të mbani maskën në mënyrë korrekte, sepse edhe nëse mbani maskën më të mirë, do të ishte e kotë nëse ajo nuk rregullohet siç duhet në hundë dhe gojë, grimcat e dëmshme do të hyjnë në rrugët e frymëmarrjes me çdo frymëmarrje që merrni”, shpjegon dr. Dimovska.

Mbrojtja e mjedisit jetësor në vitin 2023 nuk ishte ndër prioritetet kryesore të politikanëve në Maqedoninë e Veriut. Tradicionalisht, edhe në 12 muajt e fundit, u përsëritën problemet dhjetëvjeçare me mungesën e financave, kapaciteteve në institucione dhe projekteve konkrete që japin rezultate të dukshme.