Shkupjanët në dhjetor thithën ajër më të ndotur në krahasim me vitin 2022 (Infografik)

Shkupi ka shënuar ajër jashtëzakonisht të ndotur në fund të vitit 2023, ndërsa të dhënat e Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se cilësia e ajrit në dhjetor 2023 ka qenë më e keqe në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2022, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ashtu si në periudhën e kaluar, cilësia e ajrit muajin e kaluar ishte më shqetësues në stacionin matës Lisiçe në Komunën e Aerodromit. Vetëm katër ditë në muajin e kaluar niveli i përqendrimit të grimcave PM-10 në ajër në “Lisiçe” ka qenë brenda përqendrimit maksimal të lejuar mesatar ditor prej 50 mikrogramë për metër kub. Ajri i rrezikshëm me përqendrime ditore mbi 150 mikrogramë për metër kub ka qenë i pranishëm gjatë 11 ditëve të dhjetorit, ndërsa ndotja e ajrit ndërmjet 50 dhe 150 mikrogramë për metër kub është regjistruar gjatë 12 ditëve.

Ndotja e ajrit "Lisiçe", infografik nga Portalb.mk
Ndotja e ajrit “Lisiçe”, infografik nga Portalb.mk

Njëkohësisht, rezultatet e matjeve tregojnë se instrumentet matëse në stacionin matës në Lisiçe nuk kanë punuar për katër ditë gjatë muajit dhjetor, kështu që nuk janë marrë të dhëna për përqendrimin e grimcave PM-10 në ajër gjatë kësaj periudhe.

Për sa i përket grimcave të rrezikshme PM-2.5, në stacionin matës në Lisiçe, deri në 23 ditë të muajit është matur prania në ajër mbi përqendrimin maksimal të lejuar mesatar ditor prej 25 mikrogramë për metër kub. Për më tepër, për disa ditë të muajit të kaluar, vlerat e grimcave PM-2.5 në ajër ishin më shumë se katër herë mbi kufijtë e lejuar. Nga ana tjetër, prej katër ditësh në dhjetor 2023 nuk ka të dhëna për praninë e grimcave PM-2.5 në ajër për shkak të mosfunksionimit të instrumenteve matëse.

Ndotje e madhe me grimcat PM-2.5 është regjistruar pothuajse çdo ditë në dhjetor 2023 në stacionin matës “Gazi Babë”. Deri në 27 ditë të muajit, përqendrimet e PM-2.5 ishin mbi kufijtë e lejuar, sipas rezultateve të raporteve mujore të publikuara në faqen e internetit të Sistemit të monitorimit automatik shtetëror për cilësinë e ajrit të ambientit të Ministrisë së Mjedisi dhe Planifikimi Hapësinor.

Ndotja e ajrit "Gazi Babë", infografik nga Portalb.mk
Ndotja e ajrit “Gazi Babë”, infografik nga Portalb.mk

Në dhjetor të vitit 2023 nuk janë vënë në punë instrumentet për matjen e grimcave PM-2.5 në ajër në stacionet matëse Qendër, Karposh dhe Rektorat, kështu që nuk dihen rezultatet e nivelit të ndotjes së ajrit për këto lokacione në Shkup. Për shkak të kësaj, është pothuajse e pamundur të krahasohen përqendrimet e grimcave PM-2.5 në ajër në dhjetor 2023 në lidhje me muajin identik të një viti më parë.

Kur bëhet fjalë për praninë e grimcave PM-10 në ajër, shihet se në ditë të ndryshme nga dhjetori 2023 nuk kanë funksionuar stacione të veçanta matëse. Pra, 7 ditë nuk kanë punuar në Qendër, 6 ditë në Karposh, 4 ditë në Lisiçe, dhe 23 ditë në dhjetor të vitit 2023 nuk ka funksionuar stacioni matës në Rektorat.

Për shkak të mangësive të tilla në matje, ndotja e ajrit me grimcat PM-10 në dhjetor 2023 në Raportin Mujor të Sistemit Automatik Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tregon rezultate jo të plota. Aty ku ka të dhëna për të gjithë muajin, në stacionin matës “Gazi Babë” muajin e kaluar është tejkaluar për 22 ditë vlera kufitare 24 orëshe e grimcave PM-10. Në dhjetor 2022, vlerat maksimale mesatare ditore të lejuara të këtij ndotësi janë tejkaluar për 15 ditë.

E në stacionin matës “Lisiçe” në Komunën e Aerodromit, gjatë 23 ditëve nga dhjetori 2023 është matur ndotja e ajrit mbi limitet maksimale të lejuara. Në muajin e fundit të vitit të kaluar përqendrimet e grimcave PM-10 janë tejkaluar për 17 ditë në Karposh, 16 ditë në Qendër, si dhe 8 ditë në stacionin matës të Rektoratit. Mirëpo, siç e kemi theksuar tashmë, sistemi shtetëror i monitorimit automatik të cilësisë së ajrit i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka të dhëna për përqendrimin e grimcave PM-10 gjatë gjithë muajit.

Ndotja e ajrit është problem urgjent për banorët e Shkupit çdo dimër dhe masat e marra deri më tani nga autoritetet qendrore dhe lokale nuk e kanë përmirësuar cilësinë e ajrit që thithim. Përkundrazi, përqendrimet e larta të substancave ndotëse në ajër vazhdojnë të shkaktojnë probleme, veçanërisht në periudha të motit të qetë pa erë dhe reshje, si dhe me prani të mjegullës në luginën e Shkupit.