Shkelja e ligjeve të punës për fëmijët është në rritje në SHBA

Departamenti amerikan i Punës thotë se numri i fëmijëve të punësuar në kundërshtim me ligjet e punës ka shënuar rritje që nga viti 2015, raporton VOA. Ndonëse numri i përgjithshëm i shkeljeve është ende më i ulët se sa dy dekada më parë, ekspertët thonë se rritja është shqetësuese.

Në fillim të majit, Departamenti amerikan i Punës gjobiti një numër restorantesh McDonald’s në Kentaki, Indiana, Merilend dhe Ohajo pasi mësoi se ato kishin punësuar ilegalisht 300 fëmijë për të kryer detyra që janë shumë të rrezikshme për të miturit.

Në Luivill të Kentakit, dy fëmijë 10-vjeçarë nganjëherë punonin deri në orën 2 të mëngjesit, njëri madje përdorte makinën me vaj të nxehtë, pa marrë pagesë, tha Departamenti i Punës.

Vitin e kaluar, një hetim nga agjencia e lajmeve Reuters zbuloi se një numër fëmijësh, disa prej tyre deri në 12 vjeç, kishin punuar në katër fabrika të prodhimit të pjesëve për automjetet Hyundai dhe Kia në Alabama.

Hetimet e kryera nga gazeta New York Times gjetën gjithashtu praktika të paligjshme të punësimit të fëmijëve në kompanitë Ford, General Motors, J. Crew, Walmart, Target dhe Whole Foods.

Për vitin fiskal 2022, Departamenti i Punës regjistroi 688 raste të fëmijëve të punësuar në mjedise që konsiderohen të rrezikshme për ata, numri më i lartë që nga viti 2011.

“Bëhet fjalë për punët në qendrat e paketimit të mishit, në ndërtim, apo punë me sharrë dore dhe eksplozivë. Departamenti i Punës zbuloi se fabrikat e paketimit të mishit që nga viti 2019 kishin filluar të punësonin fëmijë të vegjël”, thotë Debbie Berkowitz, eksperte për sigurinë e punonjësve në Universitetin Georgetown.

Ekspertët thonë se emigracioni është një nga arsyet për rritjen e shkeljes së ligjeve të punës për fëmijët. Vetëm në dy vitet e fundit, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Burimeve Njerëzore regjistroi rreth 250 mijë fëmijë emigrantë, të cilët mbërritën në Shtetet e Bashkuara pa prindërit e tyre.

“Këta fëmijë kanë nevojë jetike për punë dhe për të ardhura, një pjesë të të cilave ata i dërgojnë në Amerikën Qendrore dhe Meksikë. Ata gjithashtu duhet të paguajnë trafikantët për arritjen në Shtetet e Bashkuara. Kompanitë nuk kanë respektuar standardet dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve në punë. Standardet qartësisht nuk po funksionojnë”, thotë Reid Maki nga Koalicioni i Punës për Fëmijët.

Sipas Shoqatës së Punonjësve të Fermave, rreth 400 deri në 500 mijë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç punojnë në sektorin e bujqësisë të Shteteve të Bashkuara. Disa shtete amerikane lejojnë fëmijët mbi 10 vjeç të punojnë në ferma. Departamenti amerikan i Punës thotë se bujqësia është e mbrojtur nga disa ligje federale në lidhje me pagën minimale dhe pagesën jashtë orarit.

“Ka përjashtime në Ligjin për Standardet e Drejta të Punës, që i lejojnë fëmijët e moshës 12 vjeçare të punojnë me orë të pakufizuara në bujqësi për sa kohë që nuk mungojnë në shkollë.”

Ekspertët Maki dhe Berkowitz shtojnë se shumë fëmijë që lënë punë të tilla për shkak të hetimeve gazetareske mbi praktikat e padrejta të punës shpesh përfundojnë sërish në punë të ngjashme sepse kanë nevojë për para.

“Kur mendojmë për fëmijët e pambrojtur, duhet të pyesim pse ata kanë nevojë të punojnë për të mbështetur veten dhe familjet e tyre dhe çfarë mund të bëjmë për të trajtuar shkaqet rrënjësore të varfërisë që po i shtyjnë ata në këto vende të rrezikshme të punës”, thotë Annie Smith nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Arkansasit.

Sipas Qendrës Kombëtare për Fëmijët në Varfëri, mbi 11 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara aktualisht jetojnë nën kufirin federal të varfërisë.