Gjykata e Apelit i miratoi pjesërisht ankesat e pronarit të portalit “DokazM”

Gjykata e Apelit në Shkup e ka refuzuar si të pabazë ankesën e Prokurorisë Themelore Publike Shkup në lidhje me rastin “DokazM”, ndërsa pjesërisht i ka pranuar ankesat e të pandehurit Marjan Stamenkovski, pronar i portalit me të njëjtin emër, raporton MIA. Në seancën e mbajtur më 19 maj në Gjykatën e Apelit në Shkup, Prokuroria Publike kërkoi dënim më të lartë, ndërsa mbrojtja kërkoi përsëritjen e procedurës për rastin.

“Gjykata e Apelit në Shkup, duke vepruar në lëndën penale KZh-357/23, pas seancës publike të mbajtur më 19.05.2023, ka marrë aktgjykim me të cilin e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore Publike Sh. si të pabazë dhe ankesat e të pandehurit M. S. nga Sh., i pranoi pjesërisht. Pas ankesave dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup K. nr.429/23 i datës 04.04.2023 është ndryshuar në pjesën e vendimit për sanksion penal në atë mënyrë që të pandehurin M. S. e ka dënuar me burgim të vetëm prej dy vjet e gjashtë muaj dhe me gjobë në shumë prej 5.000 euro në shumë prej 308.450,00 denarë”, thuhet në njoftimin e sotëm nga Gjykata e Apelit.

I pandehuri M. S., siç thuhet në njoftim, dënohet edhe me “ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës lidhur me vepra penale”, pra ndalim regjistrimi të një domeini dhe paraqitjes si regjistrues apo pronar i një portali për një periudhë prej gjashtë vitesh dhe ndërprerjen e regjistrimit të të gjitha domeneve të regjistruara në të cilat i pandehuri shfaqet si pronar i portalit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup K. nr.429/23 i datës 04.04.2023, në pjesën për veprën penale “shantazh” nga neni 259 paragrafi 1 neni 19 i KP, ka anuluar çështjen në atë pjesë dhe e ka kthyer për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, për arsye se gjykata e shkallës së parë nuk ka konstatuar me siguri faktet vendimtare që kanë ndikim në zbatimin e drejtë të së drejtës materiale, në lidhje me elementin e të qenurit të krimit të “shantazhit”, thuhet në njoftim.

Nga Gjykata e Apelit në Shkup njoftojnë se Vendimi do të publikohet i plotë në ueb faqen e gjykatës në afatin e përcaktuar me Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve nëpër gjykata.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Shkup është duke trajtuar rastin e dytë kundër Stamenkovskit, i cili pritet të zbulojë porositësit dhe bashkëpunëtorët për tekstet që i ka publikuar në paraportalin e tij. Pritet që të zbulohet prejardhja e parave që i janë gjetur gjatë kontrollit në banesën e tij, të cilat sipas informacioneve jozyrtare ishin rreth 90 mijë euro. Prokuroria dyshon se kjo shumë vjen nga krime të tjera dhe për ato është hapur një procedurë e re hetimore.

Pronari i portalit DokazM është dënuar me tre vjet e një muaj burg. Përveç kësaj, atij iu ndalua për 10 vjet regjistrimi i portalit të internetit në vend. Stamenkovski akuzohet për pesë krime – dy krime të përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik dhe një krim për shantazh, pirateri të veprës audiovizive dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Për veprën e keqpërdorimit të të dhënave personale, Stamenkovski është dënuar me 5000 euro gjobë.