Sipas rezultateve të para, Angelova është rektore e re e UKM-së

Prorektorja aktuale për financa, Prof. dr. Biljana Angellova prin pas pesë kandidatëve të tjerë për rektorë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Siç informojnë nga Komisioni Zgjedhor Universitar për Meta.mk, numërimi i votave vazhdon, ndërsa rezultatet zyrtare do të shpallen për rreth dy orë, raporton Portalb.mk.

“Angellova prin sipas votave të numëruara deri më tani. Por duhet parë sa është përqindja e pjesëmarrjes, sa fletë votimi janë përdorur, sa janë të pavlefshme. Për rreth dy orë duhet të kemi rezultate zyrtare”, tha për Meta.mk Prof. dr. Rodna Zhivkovska, kryetare e Komisionit Zgjedhor Universitar.

Që nga themelimi I Universitetit më të vjetër “Shën Kirili dhe Metodi”, Angellova do të jetë rektorja e dytë femër. Nga viti 1996 deri në vitin 1998, UKM-ja drejtohej nga Prof. dr. Radmilla Kiprijanova.

Përndryshe në programin për zhvillimin e UKM-së, në plot 40 faqe, Аngellova ka shkruar se do të angazhohet që Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” të jetë i hapur për çdo anëtar të komunitetit akademik dhe që të ketë nnjë shërbim efikas të njësive të tij.

Ajo u shpreh se do të angazhohet për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, për përmirësimin e kushteve të studimit në njësitë e universitetit, si dhe për avancimin e veprimtarisë hulumtuese-shkencore dhe për përmirësimin e rangimit. Përveç kësaj, prioriteti i saj është ndërkombëtarizimi përmes rrjetëzimit dhe anëtarësimit në aleancat universitare evropiane dhe promovimi i vlerave evropiane. Qëllimet kryesore që do të realizohen janë orientimi drejt hulumtimit, zhvillimi i inovacioneve dhe transferimi i teknologjive, përforcimi i bashkëpunimit me sektorin e biznesit, mbështetja e fakulteteve të artit dhe mbështetja për zhvillimin e sportit universitar.

Në garë për rektor të ri ishin dekani i Fakultetit Filozofik Prof. dr. Ratko Duev, pastaj Prof. dr. Goran Ajdinski gjithashtu nga Fakulteti Filozofik, Prof. Dr. Hristina Spasevska nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative (FETI) dhe prorektore aktuale për mësimdhënie, Prof. dr. Dimitar Tashkovski poashtu nga FETI, Prof. dr. Atanas Koçov nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, si dhe prorektorja aktuale për financa, Prof. dr. Biljana Angellova.

Rektori i deritanishëm i UKM-së ishte Dr. Nikolla Jankullovski, profesor në Fakultetin e Mjekësisë. Ai u zgjodh për herë të parë rektor në vitin 2016. Në vitin 2020 ai u rizgjodh për një mandat të ri prej tre vjetësh.