Gjykata Kushtetuese drejt gjykatësve për rastin e 27 Prillit: Pavarësia e gjyqësorit nuk mund të arsyetojë mosrespektimin e Kushtetutës
Pas reagimeve dhe kritikave publike ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila për herë të parë aktivizoi mekanizmin për kërkimin e përgjegjësisë së një gjykatësi, pasi ai kishte injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ishte konstatuar shkelje e lirisë së shprehjes së një gazetareje që raportonte për dhunën në Kuvendin e RMV-së, Gjykata doli me arsyetim të gjatë për opinionin, transmeton Portalb.mk.
Gjykata iu kundërpërgjigj argumenteve të Këshillit Gjyqësor dhe Shoqatës së Gjykatësve, duke u bërë me dije se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë arsyetim për mosrespektimin e Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese i referohet nenit 112, paragrafi 3 të Kushtetutës, sipas të cilit “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të ekzekutueshme”, si dhe nenit 89, paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se “Vendimet me të cilat Gjykata ka konstatuar shkelje të lirive dhe të drejtave të përcaktuara në nenin 110, alineja 3 të Kushtetutës, i zbaton organi ose subjekti që ushtron autorizime publike, i cili ka miratuar aktin individual, përkatësisht ka ndërmarrë veprimin që Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar me vendim”. Për më tepër, në përputhje me nenin 85, paragrafi 2 të Aktit të Gjykatës, “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen pa asnjë vonesë”. Në këtë drejtim është edhe neni 91 i Aktit: “Në bazë të të dhënave dhe njoftimeve të marra paraprakisht, Gjykata Kushtetuese mund të miratojë vendim të veçantë me të cilin do të konstatojë se vendimi i saj nuk është zbatuar dhe do ta njoftojë prokurorinë kompetente publike, si dhe organin që ka emëruar ose zgjedhur drejtuesin e organit apo trupit që nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës”, thanë nga Gjykata.
Në vitin 2025, Gjykata kishte konstatuar shkelje të lirisë së shprehjes publike të mendimit të gazetares Natasha Stojanovska, të kryer përmes aktgjykimeve të Gjykatës Civile dhe Gjykatës së Apelit në Shkup. Ajo kishte konstatuar se gjyqtari në Gjykatën Civile e kishte injoruar vendimin e saj dhe për këtë kishte njoftuar Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor.
Nga Gjykata thonë se, si institucion, mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe nuk i nënshtrohen parimit të ndarjes së pushteteve, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë arsyetim për mosrespektimin e Kushtetutës. Ata shtojnë se asnjë ligj nuk është mbi Kushtetutën.
“Fakti që vendimi nuk është i formës së prerë dhe kundër tij është paraqitur ankesë për të cilën duhet të vendosë gjykata kompetente e shkallës së dytë, në asnjë mënyrë nuk mund ta ndryshojë gjendjen faktike se një gjykatës i Gjykatës Themelore Civile nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jo vetëm që nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por me veprimin e tij ka injoruar edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi të cilën në fakt bazohet vendimi i Gjykatës”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.
Debati juridik u hap pasi Gjykata Kushtetuese për herë të parë aktivizoi mekanizmin për kërkimin e përgjegjësisë së një gjykatësi, pasi kishte konstatuar se Gjykata Themelore Civile nuk e kishte respektuar dhe zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin ishte konstatuar shkelje e lirisë së shprehjes së gazetares Natasha Stojanovska.
Ajo është një nga gazetaret që prej vitesh ndjekin procedura gjyqësore pa epilog për “Të enjten e përgjakshme” në Kuvend, e cila ndodhi më 27 prill 2017, kur ajo dhe gazetarët e tjerë u ekspozuan ndaj kërcënimeve dhe frikësimeve dhe u penguan në kryerjen e detyrës së tyre gazetareske.
- LEXO: Gjyqësori në kaos për lëndën e gazetares në rastin e 27 Prillit, reaguan Këshilli dhe Shoqata e Gjykatësve
- LEXO: Stuhi juridike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
- LEXO: Gjykatësi nuk e zbatoi vendimin e Kushtetueses për gazetaren Natasha Stojanovska lidhur me ngarjet e përgjakshme në Kuvendin e RMV-së