Qeveria e RMV-së e injoron gjuhën shqipe: Asnjë procesverbal i përkthyer prej gati një viti
Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mos e përmbushë detyrimin ligjor për përfshirje të gjuhës shqipe në ueb-faqen e saj, sidomos për vendimet që merr në seanca. Gati prej një viti nuk është publikuar asnjë procesverbal në gjuhën shqipe. Ndërsa, prej se e ka marrë drejtimin Qeveria e Mickoskit, vetëm një proceverbal është publikuar në shqip dhe është i datës 11 korrik 2024. Prej muajsh, ose tashmë gati prej një viti, procesverbalet e mbledhjeve qeveritare publikohen vetëm në gjuhën maqedonase, shkruan Portalb.mk.
Për këtë situatë, Portalb.mk ka kontaktuar katër herë Qeverinë gjatë muajve prill dhe maj, por nga ky institucion asnjëherë nuk u përgjigjën.
Heshtje dhe injorim i pyetjeve gazetareske
Qeveria e Maqedonisë së Veriut përgjigjet në tema të tjera, por nuk preferon të përgjigjet për këtë temë.
Më datë 20 maj, redaksia jonë kërkoi përsëri prononcim për gjuhën shqipe, për të cilën nuk morëm përgjigje. Të nesërmen, dërguam pyetje për një çështje tjetër, për të cilën morëm përgjigje po atë ditë.
Kjo shpërfillje sistematike e gjuhës shqipe në publikimet zyrtare të Qeverisë jo vetëm që përbën shkelje të ligjit, por dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve shqiptarë në institucionet shtetërore. Mungesa e transparencës në gjuhën shqipe i përjashton shqiptarët nga pjesëmarrja aktive dhe e informuar në jetën demokratike të vendit. Kjo praktikë diskriminuese, në një shoqëri multietnike , minon parimet e bashkëjetesës, barazisë dhe integrimit.
Kjo qasje përjashtuese jo vetëm që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por paraqet edhe një pengesë serioze për qasjen e barabartë të qytetarëve shqiptarë në informacione publike. Të drejtat gjuhësore nuk janë privilegj, por e drejtë themelore, e garantuar me ligj.
Në maqedonisht pothuajse e rregullt
Nga ana tjetër, në gjuhën maqedonase ndodh e kundërta. Pothuajse për çdo seancë të Qeverisë, ka informacione se çfarë është bërë, edhe nëse nuk është i publikuar i gjithë procesverbali. Për shembull, tre seancat e fundit, nuk ka procesverbale, por ka informacion se çfarë ka ndodhur në seanaca. Ndërkohë për seancat e tjera, gati se të gjitha procesverbalet janë të publikuara, me përjashtime të rralla.
Ueb-faqja e papërditsuar në kohë reale
Ueb-faqja në tërësi nga ana tjetër ka shumë mangësi. Po të kontrollosh të gjitha rubrikat që ndodhen në shqip, shumë prej tyre, nuk janë të përkthyera kur hyn në brendësi.
Rubrika e “Ankesa drejtuar Qeverisë” madje nuk ekziston fare në shqip, ndërsa në maqedonisht gjithashtu është jofunksionale.
Nga ana tjetër, rubrika “Shpallje publike” të gjitha informacionet brenda i ka në gjuhën maqedonase.

Informacionet mbi zhvillimet e zyrtarëve Qeveritar dhe deklaratave të tyre, kryesisht janë të përditësuara edhe në shqip, por përsëri nuk janë informacionet e njëjta. Çka ndodhet në versionin shqip, ndonjëherë nuk janë në versioni maqedonisht dhe e kundërta.
Komunikatat arrijnë më shpejtë
Kur jemi te komunikatat e Qeverisë, situata nuk ka ndryshuar shumë, megjithatë është përmirësuar. Çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj pas gjysmë apo një ore dërgohet në të dyja gjuhët njëherësh. Për dallim nga më herët, komunikatat në shqip tani dërgohen më shpejtë.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.