SHGM dhe SPGM dënuan sjelljen e policëve ndaj gazetarëve në Demir Hisar

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGM) kanë shprehur shqetësim serioz për mënyrën se si policët i trajtojnë gazetarët nga rajoni i Pellagonisë, tansmeton Portalb.mk.

Siç thuhet në deklaratën e SHGM dhe SPGM, rasti, për të cilin organizatat tashmë i kanë dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Brendshme, ka të bëjë me njoftimin për shkarkimin e një drejtori shkolle në Demir Hisar, kur policët iu afruan gazetarëve ndërsa ata po raportonin për një ngjarje me interes të lartë publik, duke kërkuar identifikimin e tyre, edhe pse ishte e qartë se ata ishin punonjës të medias me pajisje profesionale. Ngjarja ndodhi në një zonë publike – një oborr shkolle. 

“Ne besojmë se situata të tilla mund të interpretohen si një përpjekje për të ushtruar presion mbi gazetarët, që është një ndërhyrje e palejueshme në punën e tyre dhe një shkelje e lirive të medias”, thuhet në deklaratën e SHGM dhe SPGM.  

Në letrën e tyre drejtuar Ministrisë së Brendshme, ata kërkuan një shqyrtim urgjent dhe gjithëpërfshirës të rrethanave, përcaktimin e bazës ligjore për këtë lloj veprimi dhe përgjegjësi nëse konfirmohet se oficerët e policisë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre. 

“Presim që Ministria e Brendshme dhe Sektori i Kontrollit të Brendshëm të informojnë për rrethanat e konstatuara sa më shpejt të jetë e mundur dhe, nëse vërtetohet shkelje e autoritetit, të ndërmarrin masa përkatëse kundër personave përgjegjës nëpunës, thuhet në reagimin e SHGM dhe SPGPM. 

Kujtojmë se, më 8 gusht me urdhër gjyqësor, inspektorë policorë nga MPB-ja kanë realizuar bastisje në shtëpinë, hapësirat zyrtare dhe automobilin e drejtoreshës së Shkollës së mesme “Kërste Petkov Misirkov” në Demir Hisar, Maja Llozanovska. Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar për shkak të dyshimit për vepër penale Falsifikim dhe shkatërrim të librave zyrtarë, me qëllim të sigurimit të sendeve të lidhura me rastin. Jozyrtarisht, ata e kanë kërkuar vulën nga shkolla për shkak se pushteti dëshiron ta shkarkojë nga funksioni.