Sindikata e Gazetarëve e dënoi deklaratën e Bogojeskit “për mbikëqyrje” ndaj gazetares

Sindikalja e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) dënoi mesazhin që Petar Bogojeski ia drejtoi përmes rrjeteve sociale gazetares Teodora Cvetkovska, autore dhe prezantuese e emisionit “Fala mnogu, prijatno”, duke i thënë se do të vihet nën mbikëqyrje, transmeton Portalb.mk.

Më herët, Bogojeski kishte shprehur publikisht qëndrimin se grave u nevojitet mbikëqyrja e një burri. Cvetkovska e kritikoi këtë qëndrim, ndërsa në paralajmërimin e emisionit të saj deklaroi se është grua që nuk ka nevojë për mbikëqyrje. Në vend të një përgjigjeje të argumentuar ndaj kritikave, pasoi një mesazh në të cilin paralajmërohej se ajo do të vihej nën mbikëqyrje.

“Kjo nuk është një shkëmbim i zakonshëm i mospajtimeve politike. Kur një gazetare ekspozohet ndaj një mesazhi të tillë menjëherë pas kritikave publike ndaj një qëndrimi seksist, kjo përbën një përpjekje serioze për frikësim dhe presion ndaj lirisë së saj të shprehjes dhe punës profesionale. SPGPM-ja rikujton se gazetarët kanë të drejtë të kritikojnë figurat publike, qëndrimet dhe veprimet e tyre. Politikanët dhe aktorët publikë duhet ta pranojnë kritikën si pjesë përbërëse të shoqërisë demokratike, në vend që të dërgojnë mesazhe që nënkuptojnë mbikëqyrje dhe kontroll ndaj atyre që i kritikojnë“, thonë nga SPGPM-ja.

Ata theksojnë se veçanërisht shqetësues është fakti që ky qëndrim drejtohet ndaj një gruaje që kundërshton pikërisht idenë se gratë duhet të jenë nën kontrollin e burrave.

“Gratë nuk janë pronë e askujt, gazetaret nuk janë vartëse të askujt dhe kritika politike nuk është bazë për frikësim. SPGPM-ja kërkon që kjo mënyrë komunikimi të dënohet publikisht, që organet kompetente të nisin procedurë, ndërsa përgjegjësit në Ministrinë e Mbrojtjes të rishqyrtojnë nëse kuadri mësimor-shkencor me qëndrime të tilla konservatore mund t’u ligjërojë studentëve në akademinë e vetme ushtarake në vend, ku arsimohen edhe kadetë nga Mali i Zi dhe Republika e Turqisë, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes promovon qasje të barabartë në uniformë dhe grada, si dhe për personelin civil, pa dallim gjinie apo gjini shoqërore”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Bogojeski në një debat në TV Alfa, foli për feminizmin, marrëdhëniet bashkëshortore dhe rolin e burrit ndaj gruas. Ai deklaroi se feminizmi i ka nxitur gratë ta refuzojnë mbikëqyrjen nga burrat dhe se bashkëshorti duhet të ketë rolin e mbikëqyrësit ndaj bashkëshortes. Gjithashtu, duke folur për tradhtinë bashkëshortore, ai e përshkroi reagimin e burrit si reagim për mbrojtjen e dinjitetit të tij, e jo si dhunë.