Aksion policor te drejtoresha e një shkolle në Demir Hisar shkaktoi tensione politike dhe akuza për presion

Gjatë mbrëmjes së kaluar, një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale, pas çfarë nuk do të jetë e mundur që të bëhen shkarkime të drejtorëve, me urdhër gjyqësor, inspektorë policorë nga MPB-ja kanë realizuar bastisje në shtëpinë, hapësirat zyrtare dhe automobilin e drejtoreshës së Shkollën e mesme “Kërste Petkov Misirkov” në Demir Hisar, Maja Llozanovska, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Sipas Prokurorisë, aksioni është realizuar për shkak të dyshimit për vepër penale Falsifikim dhe shkatërrim të librave zyrtarë, me qëllim të sigurimit të sendeve të lidhura me rastin. Jozyrtarisht, ata e kanë kërkuar vulën nga shkolla për shkak se pushteti dëshiron ta shkarkojë nga funksioni.

Prokuroria Themelore Publike Manastir kumtoi se nuk ka lëshuar urdhër për paraburgim ose marrje urgjente në pyetje të Llozanovskës dhe se procedura për bastisje është kryer në përputhje me procedurat ligjore.

“Prokuroria Themelore Publike Manastir kërkoi nga Gjykata Themelore në Manastir të lëshojë urdhër për sigurimin e gjësendeve nga vepra penale. Gjykata vlerësoi meritat dhe pranoi kërkesën për bastisje, pas së cilës SPB Demir Hisar kreu dje bastisje në të tre lokacionet, ndërsa për bastisjet dhe gjësendet eventuale të gjetura dhe të marra ende nuk ka dorëzuar njoftim zyrtar me shkrim deri te Prokuroria. Procedura ligjore për sigurim të urdhrit për bastisje në shtëpi dhe hapësirat e tjera është respektuar tërësisht. Zbatimi i urdhrit është në kompetencë të nëpunësve policor. Prokuroria Themelore Publike Manastir nuk ka dhënë urdhër për arrestim ose marrje urgjente në pyetje të personit në rastin konkret”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Bastisja është kryer derisa Llozanovska ka qenë në pushim mjekësor, ndërsa në video-xhirim nga ngjarja të cilën e publikoi avokati i drejtoreshës, shihet se shef policie kërkon që ajo të sillet në bisedë informative në stacion policor me automjet të Ndihmës urgjente të mjekësisë duke thënë se ka të drejtë ta privojë nga liria.

Nga LSDM-ja opozitare reaguan se rasti paraqet shembull për presion partiak dhe shkarkim joligjore në virgjilje të zgjedhjeve lokale. Në kumtesë thuhet se kryetari i komunës Nikolla Najdovski gjatë viteve të kaluara dy herë e ka shkarkuar Llozanovskën, por vendimet janë shfuqizuar nga Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënies së Punës. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka ndërmarrë kompetencën për emërim të drejtorit dhe e ka emëruar Llozanovskën në funksion.

Nga LSDM-ja pohojnë se kryetari i komunës tani sërish përpiqet ta zëvendësojë me kandidat tjetër, duke anashkaluar procedurën e paraparë me Ligjin për arsim të mesëm. Sipas partisë, aksioni policor është pjesë e “përndjekjes politike” dhe “keqpërdorim të institucione për qëllime partiake”.

Pas kumtesës së Prokurorisë, reagoi VMRO-DPMNE-ja nga radhët e të cilës është edhe kryetari i Demir Hisarit. Pa saktësuar se cila është arsyeja për reagimin e tyre, ata e akuzuan prokurorin publik Lupço Kocevski se punon në shërbim të opozitës.

“Prokurori kryesor Lupço Kocevski i dëgjon fjalë për fjalë dhe me bindje mesazhet dhe urdhrat që i vijnë nga partia LSDM. Në vend që t’u shërbejë qytetarëve dhe drejtësisë, Kocevski u vendos në shërbim partiak dhe mbrojtje të krimeve dhe kriminelëve nga radhët e LSDM-së”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së duke mos saktësuar se në cilin rast prokurori është vendosur në shërbim partiak dhe se nëse mendojnë në tentimin për arrestim të drejtoreshës duke mos pasur kërkesë për diçka të tillë nga ana e Prokurorisë.