SHGM: Aktgjykimi për gazetarin Stojanovski hap përpara, por drejtësia për gazetarët nuk është e përmbushur

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e përshëndet vendimin e Gjykatës Themelore Civile Shkup, me të cilin konstatohet shkelje e së drejtës për liri të shprehjes ndaj gazetarit Vllatko Stojanovski nga javorja “Fokus”, për rastin e datës 27 prill 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

“Ky aktgjykim, që pasoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023, përbën një hap të rëndësishëm përpara në praktikën gjyqësore vendase dhe një konfirmim se shteti ka obligim aktiv për të mbrojtur gazetarët në situata me rrezik. Gjykata konstatoi se Stojanovski ishte ekspozuar ndaj një mjedisi armiqësor dhe të rrezikshëm derisa kryente detyrën e tij profesionale, ndërsa institucionet nuk morën masa të duhura për të siguruar sigurinë e tij – duke shkaktuar kështu shkelje të së drejtës kushtetuese për liri të shprehjes. Gjykata vendosi për kompensim të pjesshëm të dëmit jomaterial, duke dhënë një mesazh të qartë për përgjegjësinë e shtetit në mbrojtjen e punonjësve mediatikë”, thonë nga SHGM.

SHGM e thekson rëndësinë e këtij vendimi gjyqësor si një shembull pozitiv për zbatimin e standardeve evropiane për lirinë e mediave dhe një inkurajim për gazetarët që të kryejnë punën e tyre pa frikë dhe presion.

“Krahasuar me raste të tjera të ngjashme nga ngjarjet e 27 prillit 2017, kërkesa e gazetares Dushica Mrgja u pranua pjesërisht – njëjtë si në rastin e Vllatko Stojanovskit. Për Goran Trpenoskin, përsëritja e procedurës u refuzua, por pas ankesës së parashtruar pritet vendimi nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, procedurat për koleget Natasha Stojanovska, Biljana Nikolovska dhe kolegët Igor Jankovski dhe Tome Angelovski janë ende në rrjedhë para Gjykatës Kushtetuese, pasi gjykata themelore nuk ka ndjekur drejtimin e praktikës së mëparshme kushtetuese-gjyqësore”, thuhet në reagim.

Për momentin, të vetmet raste me epilog pozitiv janë ato të Dushica Mrgjës dhe Vllatko Stojanovskit – megjithatë, asnjë prej këtyre aktgjykimeve nuk është ende e formës së prerë, ndërsa të tjerat vazhdojnë të zvarriten nëpër gjykatat vendase tashmë më shumë se 8 vite.

Këto raste gjyqësore nxjerrin në pah nevojën urgjente për zbatim konsekuent të standardeve evropiane dhe krijimin e një praktike gjyqësore të qëndrueshme që do të mbrojë gazetarët si bartës të interesit publik. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një ambient ku ata do të punojnë lirshëm, në mënyrë të sigurt dhe profesionale në një shoqëri demokratike.

SHGM edhe një herë apelon tek institucionet përkatëse, përfshirë organet gjyqësore dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të sigurojnë mbrojtje efikase dhe proaktive për gazetarët, duke garantuar sigurinë dhe të drejtën për liri të shprehjes në çdo rrethanë.

Kujtojmë se, më 27 prill, 2017 u sulmua kuvendi i Maqedonisë, ku u rrahën deputetë e gazetarë nga ana e protestuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” e cila udhëhiqej nga persona të eksponuar të VMRO-DPMNE-së pasi u zgjodh për kryetar të Kuvendit Talat Xhaferi nga shumica parlamentare. Ngjarja,  si nga faktori i brendshëm politik, poashtu edhe ai i jashtëm u cilësua si “sulm ndaj demokracisë”.