Shfaqja “Tartufi” me regji të Qëndrim Rijanit, fitues i shumëfishtë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj
“Tartufi” i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, është shfaqja fituese në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, i cili të premten mbrëma ka përmbyllur edicionin e 54-t. Për shfaqjen me tekst të Molièrit nën regji të Qëndrim Rijanit, nuk ka mjaftuar vetëm çmimi kryesor – ai për shfaqjen më të mirë. Satira ndaj hipokrizisë, dilemave morale dhe manipulimit me besimin, me gjuhë universale e të përbotshme që aktualizohet përherë, ka marrë edhe çmimin për regjinë më të mirë sikurse edhe për rolin më të mirë episodik për aktorin Alban Shahiqi. Po nga kjo shfaqje, Aurita Agushi ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor, shkruan Koha.net.
Çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Enes Deari për “Mish i egër”, produksion i Teatrit Shqiptar të Shkupit me tekst të dramaturgut Goran Stefanovski, nën regji të Martin Koçovskit, e cila të dielën e kaluar hapi Festivalin.
Çmimi special i jurisë është ndarë për shfaqjen “Togeri i Inishmorit” të teatrit “Adriana”.
Çmimi “Yll në ardhje” i është ndarë Albina Krasniqi për rolin në shfaqjen “Charles III”.
E ai “Ismail Rama” për aktorin më të mirë, Ernest Malzogut për rolin në “Audienca” me tekst të Vaclav Havelit nën regji të Bashkim Ramadanit, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit. Çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë e ka marrë Suela Bako për rolin në shfaqjen “Çifti i hapur” nën regji të Sulejman Rushtit, produksion i Teatrit të Gostivarit.
Fituesi kryesor, “Tartufi” ishte dhënë premierë në Teatrin e Gjilanit në dhjetorin e vjetëm. Duke i qëndruar besnik thelbit të origjinalit, gërsheton mjeshtërisht çështjet bashkëkohore, duke krijuar një eksperiencë klasike teatrale. Ishte vlerësuar që ripërpunimi i “Tartufit” i flet qartë së sotmes me gjithë prezencën e pashlyeshme të fenomeneve negative që e përcjellin shoqërinë. Shkon përtej kësaj dhe prek edhe etjen për pushtet e vërtetësinë e qëndrimeve të pushtetarëve.
“Faleminderit teatrit, festivalit. Është hera e dytë që marr çmim. Faleminderit Teatrit të Gjilanit qe më zgjodhi mua ta bëj këtë punë dhe faleminderit trupës së Teatrit”, ka thënë Rijani në skenë pasi ka pranuar çmimin për regjinë më të mirë.
Festivali i Teatrove në Ferizaj është njëra prej ngjarjeve më me traditë në Kosovë. Sivjet pos tetë shfaqjeve, ka sjellë edhe aktivitete të tjera si debate e punëtori. Njëra prej tyre qe edhe ajo për teatrin dhe luftën, e titulluar “Lufta e Katërt Botërore” e realizuar nga regjisori maqedonas Gjorgji Rizeski. Në Galerinë e Arteve qe hapur ekspozita “Teatri Ilegal” nga artisti Sovran Nrecaj, ndërkaq pjesë e programit gjashtëditorë kanë qenë edhe diskutimet në dy panele që kanë trajtuar luftën dhe teatrin si dhe marrëveshjet e themelimit të fondit të përbashkët teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë, hapat e parë të së cilit qenë vendosur në kuadër të “Prizren Festit”, një muaj më parë.