“Java e Shkronjave” në Manastir, aktivitetet për 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir organizon programin “Java e Shkronjave”, me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Nga sot deri më 22 nëntor janë paraparë punëtori për nxënës, tryezë shkencore, orë poetike dhe akademi solemne, shkruan Portalb.mk.

Programi nis me punëtori edukative dhe arsimore për nxënësit e shkollave fillore, nga klasa e parë deri në të nëntën, të cilat do të mbahen sot dhe nesër në klasën edukative të Muzeut.

Më 20 nëntor, në orën 13, në galerinë e Muzeut do të zhvillohet tryeza shkencore “Bedri Pejani dhe Kongresi i Dytë i Manastirit, një jetë në shërbim të çështjes kombëtare”. Aktiviteti organizohet nga Muzeu dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në bashkëpunim me Lëvizjen “Lidhja e Re e Prizrenit”.

Një ditë më pas, më 21 nëntor, në orën 14, në të njëjtin ambient do të mbahet një orë poetike nga Shoqata e Shkrimtarëve “ABC Poetike” nga Shkupi.

Për ditën e shënimit të përvjetorit, më 22 nëntor, janë paraparë vizita në Muze nga funksionarë të lartë qeveritarë nga vendi dhe jashtë.

Programi do të përmbyllet me akademinë solemne në Pallatin e Kulturës në Manastir, në orën 19. Do të marrin pjesë Ansambli Shtetëror Shqiptar i Këngëve dhe Valleve i Maqedonisë së Veriut, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” i Kosovës.

Afishja e aktiviteteve të Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir. Foto: Nuer Arsllani
Afishja e aktiviteteve të Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir. Foto: Nuer Arsllani