Shenjtërimi i luftës: Disfatë (II)

“Equal human rights for all. No ifs, no ands, no buts!”

(Të drejta njerëzore të barabarta për të gjithë. Pa nëse, pa edhe, pa por!)

Roger Waters, Pink Floyd

 

Sot bota islame ka dështuar totalisht, ajo ka mbetur vetëm një sintagmë e shkruar që de facto dhe in actum nuk ekziston. Atë e propagojnë vetëm teologët nëpër faltore gjatë predikimeve dhe besimtarët e sinqertë në bisedat mes vete, flasin për ummet, bashkësi globale islamike, ndërsa realisht një të tillë s’ka, s’duke asgjëkundi. Sikur të kishte do kishim një organizatë shumë të zëshme dhe më efektive se sa OBI (Organizata e Bashkëpunimit Islamik), Liga Arabe, do kishim një botë më paqësore brendaislamike e jo konflikte permanente fraksionale në Siri, Libi, Pakistan e në shumë vende të tjera. Palestinezët janë kurban i një bindjeje absolutiste, ngjashëm si te cionizmi, që buron nga interpretimet e bazuara në premisën se “ata nuk kanë të drejtë këtu, kjo është e jona”. Bindja se një ditë Izraeli do të zhduket nga faqja e dheut faktikisht mban gjallë luftën e vazhdueshme mes dy kombeve apo entiteteve mesolindore. Sulmet e fundit të Hamas-it duken si metodë e vetrëvrasjes kolektive duke pasur parasysh potencialin ushtarak të shtetit hebre dhe mbështetjen e tij ndërkombëtare. S’janë pragmatike as thirrjet për xhihad total e as pohimet se palestinezët duhet të migrojnë ”ngase edhe vetë profeti Muhamed ka bërë hixhret”  kur i është ngushtuar frymëmarrja sociale. Nuk bëjnë dobi as sentencat slogan: “Kudsi është çështje/kauzë e çdo muslimani!”

Nga ana tjetër, qasja për “tokën e premtuar” vetëm për izraelitët dhe historia 3000 vjeçare ekskluzive është skaji tjetër i mosmarrëveshjes së pasosur. Siç shprehet shkrimtari izraelit Gideon Levi, zëri i arsyes përkundër inxhnierëve të luftës, një ndarje agresive në “ne” dhe “ata” me mure është joefetktive: “…është dëshmuar se edhe pengesa më e sofistikuar dhe më e shtrenjtë mund të çahet relativisht lehtë me një buldozer kur ka motiv të fortë.” “Nuk është e mundur t’i mbash dy milionë njerëz të mbyllur përgjithmonë pa paguar çmim të tmerrshëm.” “Kërcënimet se ‘Gaza do të rrafshohet përtokë’ dëshmojnë vetëm një gjë: se ne nuk kemi mësuar asgjë.” – shkruan ai.  (Haaretz, 08.10.2023) Është shterpe logjika aristoteliane se një grup – kushdoqofshin ata – janë zotërinj e tjetri vetëm numra, skllevër dhe shërbëtorë, se të parëve u takon çdo gjë e të dytëve asgjë. Nëse ndërtohet një politikë me diskurs ekskluzivist atëherë siç u shpreh kolumnisti hebre Ari Shavit para disa ditëve, vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e Izraelit: “Israel takes its last breath”. Sipas tij ska zgjidhje tjetër pos njohjes së të drejtave të palestinezëve dhe përfundimit të okupimit.

Spiralja e konfliktit s’mund të ndalet nëse të dyja palët kultivojnë idenë se ndarja apo “shkëputja nga jobesimtarët është më e mirë se bashkëjetesa”. Me historira kompetitive (competing histories) nuk arrihet kompromisi. Palët kanë nevojë për të ashtuquajturin dialog të thellë (deep dialogue). Gjithnjë është më mirë të kërkohet kompromisi sesa të vahdohet lufta; me mijëra luftëra gjatë historisë janë shmangur në saje të diskutimit, lëshimit pe apo koncesioneve. (Blattman, 2022)  Dhuna vetëm i shton animozitetet, armiqësitë që janë ushqim i ndjenjës së konfliktit te të dyja palët. Perla e Lindjes së Mesme, Jerusalemi është i të tria feve abrahamike: judaizmit, krishterimit dhe islamit. Ai është çelësi i paqes. “Paqja nuk mund të ruhet me forcë, mund të arrihet vetëm me mirëkuptim”  – ka thënë dikur Albert Einsteini. Është absurde që të shkosh me gacë zjarrit; nga një qasje e tillë s’ka dobi askush.16 vitet e burgut më të madh të hapur të Gazës janë trishtim që bota dhe ndërgjegjja e saj s’mund ta mbajë mbi supet e veta. Metodat e ndëshkimit kolektiv që e thellojnë tragjedinë duhet të përfundojnë; duhet të nisin sa më shpejt negociata që do të shpien tek zgjidhja finale. (AA, 2023)

Pas shpërnguljes së madhe të hebrenjve në Palestinë ishin dy skenare: (1) Izraeli ta pushtojë gjithë Palestinën dhe t’i dëbojë palestinezët andej, (2) të dyja palët të krijojnë hapësirat e  tyre të ndara të jetesës dhe ndodhi e dyta. Sot ky pozicionim çon kah zgjidhja me dy shtete. (Balpınar, 2019) Shenjtërimi i luftës nuk është zgjidhje, nuk shpie askund. Siç u shpreh në meshën e së dielës së kaluar Papa: “Lufta është disfatë!” Ndërsa sipas R. Waters-it, antidoti i luftës janë të drejtat e barabarta njerëzore, pa dallime etnie, feje, race.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.