SHBA-të e dhanë mesazhin, Ageler: Mbetet në dorën e institucioneve të RMV-së të veprojnë për Grubin, Bexhetin dhe gjithë të korruptuarit e tjerë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga institucionet e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut të mbajnë përgjegjës aktorët e korruptuar. Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Ageler tha se kur ata si SHBA mund të gjejnë prova për të korruptuarit, munden edhe institucionet në RMV. Këto deklarata ajo i bëri sot duke iu referuar futjes së ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Ageler tha se Lista e Zezë Amerikane do të zgjerohet, shkruan Portalb.mk.
Ambasadorja lidhur me shtimin e Grubit dhe Bexhetit në Listën e Zezë tha se në Uashington po shqyrtohen sanksione shtesë.
“Korrupsioni në çfarëdo forme nuk duhet toleruar në këtë vend. Ata që minojnë sundimin e ligjit për përfitime personale dhe në kurriz të popullit të Maqedonisë së Veriut duhet të kuptojnë se korrupsioni ka pasoja. SHBA do të vazhdojë të mbajë përgjegjës aktorët e korruptuar. Shpresoj që të njëjtën gjë të bëjnë edhe organet gjyqësore dhe strukturat e ligjit të këtij vendi”, tha Ageler.
Ajo shtoi gjithashtu se Lista e Zezë do të zgjerohet.
“Shpresoj se ky veprim e bën shumë të qartë se SHBA-ja mund dhe do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur përgjegjës ata individë, aktivitetet kriminale të të cilëve minojnë sigurinë, stabilitetin dhe vlerat e qeverisjes së Maqedonisë së Veriut”, tha Ageler.
Megjithatë Ageler nuk dha detaje për futjen e Grubit dhe Bexhetit në këtë listë.
“Ne nuk kemi asnjë strukturë ligjzbatuese apo gjyqësore në këtë vend. Ajo që do të ndodhë më tutje varet nga zbatimi i ligjit dhe gjyqësori në këtë vend. Nëse ne mund t’i gjejmë këto prova, po ashtu edhe ata munden”, tha Ageler.
Ajo shpreson se pas reagimeve të forta në opinion, pret të shohë lëvizje brenda gjyqësorit këtu në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm për dy rastet e fundit por edhe për të gjithë rastet tjera.
Lidhur me destabilizimet që paralajmërohen në RMV, ambasadorja se asnjë njeri nuk duhet të punojë për të destabilizuar vendin e tij, sepse nuk është në interes të askujt këtu.
Dje në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe vetë Grubi.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht. Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka shkruar Grubi.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta në opinion si dhe nga partitë politike.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.