Ambasadorja amerikane në RMV: Lista e zezë e SHBA-së është dinamike dhe e hapur për emra të rinj
Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara është shumë dinamike dhe se emra të rinj po diskutohen vazhdimisht. Ajo theksoi se nuk ka afat kohor specifik për shtimin e personave të rinj në listë, pasi ai është vendim i Uashingtonit, transmeton Portalb.mk.
Në një deklaratë për media pas hapjes së Konferencës së parë për luftimin e korrupsionit në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, në bashkëpunim me Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (BNNZL), ambasadorja tregoi se lista është hapur për shtesa.
“Lista e zezë në SHBA është shumë dinamike, emra po diskutohen vazhdimisht. Nuk kam afat kohor, sepse është vendim i Uashingtonit, por besoj se teksa flasim ka emra që janë marrë parasysh dhe jemi gjithmonë të hapur për të shtuar persona të rinj në listë”, tha ambasadorja.
Lidhur me çështjen e rekomandimeve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, ajo porositi që të respektohen.
“Nuk kam detaje konkrete, por do të theksoj se është e rëndësishme që këto komente dhe rekomandime të shqyrtohen me kujdes në mënyrë që publiku të marrë përgjigje për pyetjet”, tha Ageler.
Përditësimet në listën e zezë ambasadorja amerikane, i pati paralajmëruar edhe gjatë shatorit, kur poashtu tha se nuk ka datë fikse se kur do të publikohen.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.