Të barabarta: U promovua rrjeti i grave në media në RMV
Bashkimi i grave në media, gazetare dhe punonjëse të medias në mbrojtje të të drejtave të tyre profesionale dhe punëtore është qëllimi kryesor i rrjetit mediatik të grave “Të Barabarta” i cili u lansua sot në Shkup, raporton Portalb.mk.
“Të Barabarta” është rrjet joformal i krijuar nga vetë gazetarët dhe punonjësit e medias i cili erdhi si rezultat i disa takimeve mujore, konsultimeve dhe trajnimeve dhe do të veprojë në kuadër të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias.
Siç thanë anëtarët e trupit koordinues punues të rrjetit, do të jetë një vend ku gratë e mediave jo vetëm të dëgjohen, por edhe të kuptohen dhe të marrin mbështetje.
Sipas tyre, nevoja për krijimin e këtij rrjeti është rezultat i padrejtësive, diskriminimit, shkeljes së të drejtave të gazetareve dhe punonjësve të medias, por veprimi i i rrjetit do të mbulojë sfidat e grave në shoqëri në përgjithësi, si dhe do të përmirësojë raportimin për tema të ndishme gjinore.
“Ne do të ngremë zërin tonë për të gjitha sulmet, kërcënimet, seksizmin, diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën në hapësirën e internetit, që synojnë cenimin e integritetit personal të grave në media për t’i frikësuar dhe zhvlerësuar punën e tyre. Ky është një problem që nuk ndalet, por merr vrull dhe kështu normalizohet”, tha gazetarja dhe kryetarja e trupit koordinues të rrjetit, Marija Mitevska.
Sipas nismëtarëve, rrjeti duhet të jetë një mjedis që ofron solidaritet, respekt, mbështetje, mirëkuptim dhe gjithëpërfshirje.
“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim gratë në media, të zgjerojmë rrjetin, të edukojmë dhe të krijojmë një mjedis ku gjinia nuk do të jetë pengesë për arritjet, shprehjen e mendimti, zënien e një pozicioni të merituar apo realizimin e ndonjë të drejte elementare njerëzore, qoftë edhe në vendin e punës”, tha anëtarja e trupit koordinues të rrjetit, Fatlume Dervishi.
Sipas gazetares Tamara Grnçaroska, një nga qëllimet kryesore të rrjetit do të jetë adresimi i numrit në rritje të sulmeve ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias.
“Gratë gazetare dhe punonjëse mediatike në Maqedoni vuajnë më shumë nga kërcënimet dhe sulmet online dhe fizike sesa meshkujt. Kjo konfirmon përqindjen e sulmeve të raportuara nga gazetaret vajza në shoqatat gazetareske, si dhe anketat për sigurinë e gazetarëve të kryera në periudhën e kaluar, që tregon cenueshmërinë e grave të punësuara në sferën mediatike”, tha Grnçaroska.
Në periudhën në vijim, përmes SPGM-së do të informojmë se si të gjithë të interesuarit mund të anëtarësohen në rrjet për të rritur numrin dhe përfaqësimin më të madh në veprime të mëtejshme.
Krijimi i rrjetit u mbështet nga Këshilli Britanik dhe u zbatua nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias në RMV.