SHBA kreu sulme të reja kundër Iranit
Sipas deklaratave të ushtrisë amerikane, SHBA-ja ka ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit. Në shënjestër kanë qenë, ndër të tjera, sistemet iraniane të mbrojtjes kundërajrore dhe stacionet e radarëve, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom). Qëllimi i operacionit ishte kufizimi i aftësisë së Iranit për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Dojçe Vele (DW).
Sulmohen anijet e Gardës Revolucionare
Mëngjesin e së hënës (13.07.), ushtria amerikane deklaroi se vala e sulmeve kishte përfunduar. Dhjetëra objektiva në disa lokacione u goditën me precizion. Sipas Centcom-it, përveç avionëve luftarakë dhe dronëve ajrorë, për herë të parë u përdorën edhe dronë detarë. U shkatërruan sisteme të mbrojtjes kundërajrore, stacione radarësh, pozicione raketash, baza dronësh dhe mjete të vogla lundruese.
Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet amerikane u përqendruan në zona në jug dhe perëndim të vendit. Objektivat përfshinin ishullin Keshm në Gjirin Persik, në Ngushticën e Hormuzit, qytetin Bandar Abbas, si dhe provincën Khuzestan, që kufizohet me Irakun. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se një person u vra gjatë një sulmi amerikan ndaj qytetit Mahshahr në Khuzestan. Katër persona të tjerë u plagosën.
Teherani i dënoi sulmet amerikane, duke deklaruar se ato kanë shkatërruar të gjitha përpjekjet diplomatike të muajve të fundit. Ministria e Jashtme iraniane theksoi se SHBA-ja ka shkaktuar “rikthimin e pasigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe pengesa në lundrimin tregtar ndërkombëtar”. Si kundërpërgjigje, Irani sulmoi bazat amerikane në rajon. Sipas mediave shtetërore, Garda Revolucionare goditi objektiva dhe baza ushtarake në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein. Jordania njoftoi se kishte rrëzuar katër raketa iraniane, edhe Kuvajti konfirmoi se kishte zmbrapsur sulme të ngjashme.
Kjo është tashmë vala e katërt e sulmeve amerikane që nga shpallja e anuluar e marrëveshjes për armëpushim gjatë natës së së mërkurës. Ushtria amerikane kishte njoftuar edhe më herët se, gjatë natës drejt së dielës, kishte goditur rreth 140 objektiva ushtarake në Iran, pasi Garda Revolucionare kishte sulmuar një anije në Ngushticën e Hormuzit.
