Çfarë biografish kanë ministrat e rinj në qeverinë e Mickoskit?
Shtatë emra të rinj në Qeveri dhe rokadë ministrash propozohen me rindërtimin e Qeverisë. Mes ministrave të rinj ka profesor universitar që ka qenë i angazhuar nga Stevo Pendarovski dhe Talat Xhaferi, këshilltar komunal, kuadro të arsimuar në Bullgari dhe Turqi, ministër që flet shkëlqyeshëm rusisht dhe bullgarisht, mjek i diplomuar që nuk ka punuar në profesionin e mjekut, zëvendësministra dhe koordinator kombëtar që avancohen në ministra, shkruan Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.
Për gjithsej tetë ministra në Qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski, dita e sotme (13 korrik) është dita e fundit e punës në ministritë që kanë drejtuar gjatë dy viteve të fundit.
Ata përfshihen në propozimin për rindërtimin e Qeverisë, i cili vjen në gjysmën e mandatit katërvjeçar të saj. Shtatë prej tyre do të largohen nga Qeveria, ndërsa njëri do të kalojë në një dikaster tjetër. Kështu, shtatë emra të rinj do të ulen në kolltukët ministrorë duke filluar nga sot.
Rindërtimi është pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, e cila pritet të nisë sot, më 13 korrik, rreth mesditës.
Sipas propozimit, nga Qeveria largohen ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, ministri i Bujqësisë Cvetan Tripunovski, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, ministri i Kulturës Zoran Ljutkov, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, si dhe ministri pa resor, njëherësh zëvendëskryeministër i ngarkuar për zbatimin e Dekadës së Romëve, Shaban Saliu.
I teti në listë është partneri i koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Ivan Stoilkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni. Ai largohet nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, por mbetet pjesë e Qeverisë, pasi është propozuar të bëhet ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale në vend të Perinskit.
Cila parti heq dorë nga cili resor dhe cili e merr atë?
Partia më e madhe në pushtet heq dorë edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ku në vend të Cvetan Tripunovskit pritet të emërohet Borçe Serafimovski nga ZNAM.
ZNAM me këtë rindërtim humbet edhe Ministrinë e Drejtësisë, të cilën deri tani e drejtonte Igor Fillkov. Në vend të tij do të emërohet kandidati i VLEN-it, Jeton Shasivari.
Nga ana tjetër, VLEN heq dorë nga Ministria e Shëndetësisë, ku Azir Aliu do të zëvendësohet nga drejtori aktual i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski nga VMRO-DPMNE. Në vend të Klekovskit në Fond pritet të emërohet ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
VMRO-DPMNE merr gjithashtu drejtimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, e cila do të udhëhiqet nga zëvendësministri aktual Gjoko Velkovski. Ai do të pasojë Fatmir Limanin, i cili ishte pjesë e VLEN-it, por muajt e fundit është larguar nga ky koalicion, i cili ndërkohë është shndërruar në parti politike.
Nga ana tjetër, VLEN, përveç Ministrisë së Drejtësisë, merr edhe Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ku ministër do të jetë Agon Ferati, si dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, të cilën do ta drejtojë Sedat Sulejmani.
Në vend të Shaban Saliut, zëvendëskryeministër dhe ministër pa resor nga Partia e Forcave Demokratike të Romëve, i cili si ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim është ndër të akuzuarit për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, do të emërohet kuadri i VMRO-DPMNE-së, Erxhan Demir. Ai do të jetë përgjegjës për Dekadën e Romëve dhe vjen nga struktura komunale e partisë në Shutkë (Shuto Orizare).
Profesor universitar, i angazhuar nga Pendarovski dhe Xhaferi
Për një nga dikasteret më të rëndësishme, që deri tani drejtohej nga ZNAM, VLEN ka propozuar një zgjidhje profesionale. Jeton Shasivari, i cili pritet të bëhet ministër i Drejtësisë, pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar si profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, ku ligjëron në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Ai ka ushtruar edhe detyrën e prodekanit për mësim, si dhe ka qenë anëtar i Senatit të universitetit.
Si ligjërues i së drejtës kushtetuese ka qenë i angazhuar edhe në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Në vitet e fundit ai ka bashkëpunuar edhe me ish-presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, si dhe me ish-kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Në mars të vitit 2020, Pendarovski e angazhoi si ekspert për dhënien e mendimeve profesionale dhe konsultimeve lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2023 ishte këshilltar i jashtëm i Talat Xhaferit në kuadër të dialogut evropian “Jean Monnet” për përgatitjen e Rregullores së re të Kuvendit.
Shasivari ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ka përfunduar studimet master në Prishtinë dhe doktoraturën në të drejtën kushtetuese dhe administrative në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Nga këshilltar komunal në ministër
Edhe Agon Ferati është arsimuar në të njëjtin universitet, por në fushën e ekonomisë, ku ka përfunduar studimet master në administrim biznesi.
Në biografinë e dorëzuar në Kuvend, përveç angazhimit në Komunën e Tetovës, nuk figuron përvojë tjetër profesionale. Ai është i punësuar aty që nga viti 2012 dhe punon si këshilltar për menaxhimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian në Departamentin për Zhvillim Ekonomik Lokal.
Për disa muaj ka qenë gjithashtu ekspert për Kapitullin 8 të BE-së – Politika e Konkurrencës – në zyrën e UNOPS-it në Shkup.
Tashmë në biografinë e tij do të shtohet edhe posti i ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Flet rrjedhshëm rusisht dhe bullgarisht, ka diploma universitare nga Bullgaria dhe Maqedonia
Borçe Serafimovski, si kuadër i ZNAM-it, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Ai punon në këtë ministri që nga viti 2025 dhe aktualisht mban postin e sekretarit shtetëror.
Para kësaj detyre, që nga viti 2004 ka punuar në Universitetin Ndërkombëtar Sllav në Sveti Nikollë, ku ka qenë drejtor i përgjithshëm dhe zëvendëskryetar i Bordit Drejtues.
Ai është defektolog i diplomuar në Institutin për Studime të Mbrojtjes dhe Paqes pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, por zotëron edhe diploma universitare nga Bullgaria.
Në Universitetin e Lirë të Varnës “Çernorizec Hrabar” ka diplomuar në menaxhim biznesi. Studimet master për marrëdhënie ndërkombëtare i ka përfunduar në Universitetin “Neofit Rilski” në Bllagoevgrad, ndërsa doktoraturën në shkencat organizative e ka mbrojtur në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Veliko Tërnovo.
Në biografinë e tij ka përfshirë edhe disa punime shkencore të botuara, si dhe ka theksuar se, përveç gjuhës amtare maqedonase, lexon, shkruan dhe flet në nivel të shkëlqyer anglisht, rusisht dhe bullgarisht.
Mjek i diplomuar pa përvojë pune si mjek
Sasho Klekovski, i cili për dy vjet drejtoi Fondin e Sigurimit Shëndetësor, do të jetë ministri i ri i Shëndetësisë. Për publikun ai është i njohur më parë si analist politik, por sipas arsimit është doktor i mjekësisë. Studimet i ka përfunduar në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa më pas ka marrë edhe titullin master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin American College në Shkup.
Megjithëse është mjek i diplomuar, në biografinë e tij nuk figuron përvojë pune në profesionin e mjekut. Karriera e tij profesionale është zhvilluar në fusha të tjera.
Nga viti 1994 deri në vitin 2011 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS). Ka punuar edhe në Fondacionin Maqedonas për Zhvillimin e Ndërmarrjeve (MRFP), ka qenë ligjërues në American College për lëndën Financat e Sipërmarrjes, ndërsa gjatë karrierës ka punuar si konsulent dhe trajner në analiza, vlerësime, avokim dhe trajnime, si në vend ashtu edhe jashtë tij.
Ish-ministër teknik dhe sekretar i Qytetit të Shkupit gjatë mandatit të Danella Arsovskës
Për bashkëpartiakun e tij, Gjoko Velkovski, i cili do të jetë ministri i ri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, kjo nuk do të jetë hera e parë që mban post ministror.
Ai ishte pjesë e qeverisë teknike nga janari deri në maj të vitit 2024, si ministër teknik i Punës dhe Politikës Sociale.
Sipas arsimit është ekonomist i diplomuar në drejtimin e Tregtisë së Jashtme në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Nga viti 2013 deri në vitin 2021 ka punuar në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale në disa pozita të ndryshme. Në fund të vitit 2021 u largua nga ministria dhe u emërua sekretar i Qytetit të Shkupit gjatë mandatit të kryetares Danella Arsovska, e cila kishte fituar zgjedhjet lokale me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.
Velkovski qëndroi në këtë detyrë deri në mesin e shkurtit të vitit 2023, kur u largua pasi marrëdhëniet mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së u përkeqësuan dhe u shoqëruan me përplasje publike.
Më pas punoi për një periudhë të shkurtër në Komunën e Gazi Babës, prej nga u rikthye në Ministrinë e Punës si ministër teknik.
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, nga ministër teknik u emërua zëvendësministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – post nga i cili tani avancon në ministër.
Ka qenë zëvendësministër si në qeverinë e VMRO-DPMNE-së, ashtu edhe në atë të LSDM-së
Edhe Sedat Sulejmani nga VLEN avancon nga posti i zëvendësministrit në ministër. Deri tani ai ishte zëvendës i Zoran Ljutkovit në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Sulejmani ka qenë zëvendësministër edhe në qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së gjatë viteve 2020–2021.
Në vitin 2023 ka punuar si këshilltar në Komunën e Tetovës për mbështetje profesionale dhe administrative të inspektoratit komunal. Më herët ka qenë i angazhuar në sektorin privat.
Studimet universitare i ka kryer në Bursa të Turqisë, në Universitetin Uludağ, ku ka diplomuar në sociologji me orientim në teologji pedagogjike.
22 vjet deputet, dy vjet zëvendëskryeministër
Ivan Stoilkoviq është ministri i tetë që emërohet në kuadër të rindërtimit të Qeverisë, por ai nuk vjen nga jashtë kabinetit qeveritar. Ai vetëm transferohet nga një dikaster në tjetrin.
Nga ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe zëvendëskryeministër, tani do të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Përvoja e tij profesionale, sipas biografisë, nuk është shumë e gjatë. Për dhjetë vjet ka qenë themelues dhe drejtor i një kompanie private ndërtimore, ndërsa nga viti 2002 deri në vitin 2024 ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë.
Pas zgjedhjeve të mbajtura rreth dy vjet më parë, ai e zëvendësoi pushtetin legjislativ me atë ekzekutiv, duke u bërë pjesë e Qeverisë së Hristijan Mickoskit.
Stoilkoviq, i cili është lider i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, konsiderohet një aleat i besueshëm i VMRO-DPMNE-së.
Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it u zgjodh në qershor 2024, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në maj të atij viti.