SHBA-ja me draft-rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Shtetet e Bashkuara kanë qarkulluar një draft-rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, transmeton REL.

Diplomati amerikan e bëri këtë njoftim gjatë turneut në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë edhe një vizitë në Izrael.

SHBA-ja, aleate kyçe e Izraelit, më herët kishte vendosur veto në Këshillin e Sigurimit për rezolutat lidhur me Gazën. Rasti i fundit ishte në shkurt, kur Uashingtoni kundërshtoi përdorimin e fjalës “menjëhershëm” në draftin e dorëzuar nga Algjeria.

Javët e fundit, megjithatë Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Izraelit, përderisa insiston që Hamasi duhet të lirojë menjëherë pengjet e marra gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor.

“Në fakt, ne kemi një rezolutë që e kemi dërguar para Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve dhe shpresojmë që çdo shtet ta mbështesë atë”, tha Blinken gjatë vizitës në Arabinë Saduite.

“Mendoj se do të dërgonte një mesazh të fortë, një sinjal të fortë”, tha ai për median saudite Al Hadath.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmin e 7 tetorit, por që në fakt po shënjestron civilët.

“Sigurisht, ne qëndrojmë me Izraelin në të drejtën e tij për të mbrojtur veten… por, në të njëjtën kohë, është imperative që civilët që gjenden në zona të luftimeve dhe të cilët po vuajnë në mënyrë të tmerrshme – të përqendrohemi te ta, le t’i bëjmë ata prioritet, pra mbrojtjen e civilëve dhe dërgimin e ndihmës humanitare”, tha Blinken.

Zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të rezolutës që kur bllokuan draft-rezolutën algjeriane që bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm në Gazë”.

Ajo alternativë, që përqendrohej në mbështetjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve, kishte pak shanse të kalonte, thanë burimet diplomatike, sipas AFP-së. Kjo agjenci e lajmeve ka parë një version të ri të tekstit ku theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët, lejimi i ndihmës thelbësore për të lehtësuar vuajtjen… në lidhje me lirimin e pengjeve që po mbahen”.

Ende nuk është caktuar ndonjë seancë ku do të mund të votohej ky tekst.

Një ditë më herët, Blinken në Arabinë Saudite u takua me krerët shtetërorë, ndërkaq të enjten do të qëndrojë në Egjipt dhe të premten në Izrael.

Turneu i Blinkenit, që është i gjashti në rajon që kur nisi lufta, zhvillohet paralelisht me bisedimet që mbahen në Katar, ku ndërmjetësit për të tretën ditë me radhë u takuan të mërkurën në përpjekje për të arritur një armëpushim. Megjithatë, ka pak tregues se ata mund të arrijnë shpejt një marrëveshje.

Plani që po diskutohet në Katar do të mundësonte ndaljen e përkohshme të luftimeve në këmbim të lirimit të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë. Gjatë kësaj periudhe, po ashtu do të rriteshin dërgesat me ndihmë humanitare në Rripin e Gazës.