Mësues të huaj për vizitë në Shkup: Fëmijët gjithnjë e më pak përdorin lapsa dhe stilolapsa

Nxënësve të sotëm nuk u pëlqen të lexojnë. Atyre nuk u pëlqen mënyra tradicionale e leximit. Lufta jonë kryesore është pikërisht kjo, që t’i detyrojmë të lexojnë libra, të lexojnë tekste sepse nuk kanë durim për të lexuar dhe për analizë. Analiza nënkupton që ju duhet të mendoni për të paktën disa minuta për atë që e lexuat, por fëmijët nuk kanë kohë për këtë, për shkak të të gjitha aplikacioneve që i kanë në dispozicion. Kështu thotë Christian Ruiz, mësues i shkencave kompjuterike në shkollën “Juan de Lanuza” në Zaragoza, i cili aktualisht ndodhet në Shkup, së bashku me 10 kolegë të tij nga Spanja, Turqia dhe Polonia, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ata janë këtu në kuadër të projektit Erasmus me titull “Teknologjitë e reja për ndryshimet klimatike” dhe si nikoqir e kanë shkollën “Panajot Ginovski” në Butel. Mësuesit ndoqën një orë mësimore të klasës së gjashtë në të cilën ligjërohej për ndryshimet klimatike dhe burimet e rinovueshme dhe jo të rinovueshme të energjisë, e pastaj një orë tjetër në të cilën nxënësit prezantuan se si mund të ndihmojë përdorimi i dronëve për ndryshimet klimatike.

Christian Ruiz, mësues i shkencave kompjuterike në shkollën "Juan de Lanuza" në Zaragoza. Foto: Meta.mk
Christian Ruiz, mësues i shkencave kompjuterike në shkollën “Juan de Lanuza” në Zaragoza. Foto: Meta.mk

Ruiz për Meta.mk thotë se zhvillimi i digjitalizimit në mësimdhënie është diçka e përditshme për 620 nxënësit e shkollës “Juan de Lanuza”.

“Unë ligjëroj shkenca kompjuterike dhe jam pjesë e menaxhmentit të shkollës. Tek ne çdo nxënës (kemi nxënës nga 3 deri në 18 vjeç) ka laptopin e tij dhe secili ka një llogari në Gmail. Të gjithë mësuesit kanë laptopë dhe në të gjitha klasat ka pajisje që lidhin laptopët me tabelat inteligjente. Lënda e shkencave kompjuterike ndiqet nga të gjithë nxënësit. Ata mësojnë përmbajtje të ndryshme, punojmë me projekte digjitale, prezantime, dokumente digjitale, audio, video, etj. Pastaj, mësojnë programim, si dhe robotikë. Digjitalizimi është ngulitur thellë në procesin tonë mësimor. Ne punonim në këtë mënyrë që tetë vjet para pandemisë, kështu që kur filloi pandemia, ne ishim plotësisht gati që të kalonim me mësim online”, shpjegon Ruiz.

Sipas tij, e ardhmja sigurisht qëndron te digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale dhe siç thotë ai, tekstet tradicionale, pra të shkruarit me laps/stilolaps, janë një shkathtësi që fëmijët po e kultivojnë gjithnjë e më pak.

“Kur punohet në projekte ato bëhen me inteligjencë artificiale, përdoret edhe ChatGPT. Ky është një avantazh i madh për ne mësuesit, sepse nëse jeni mësues dhe u jepni nxënësve detyra shtëpie, është e pamundur që ata të mos përdorin ChatGPT, me ndihmën e të cilit, për shembull, ata “përgatisin” një ese në vetëm pak minuta”, thotë Ruiz.

Sa i përket shkathtësisë së të shkruarit, Ruiz shton se nxënësit janë gjithnjë e më të dobët në të shkruarit tradicional.

“Problemi është kompleks. Nuk ka të bëjë më vetëm me inteligjencën artificiale, por problemi ka filluar që shumë vite më parë, me YouTube, TikTok. Në një farë mënyre ne konsumojmë gjithçka shumë shpejt, ashtu edhe fëmijët. Ata nuk kanë durim të lexojnë një tekst, të dëgjojnë një audio, të lexojnë një libër. Dhe kështu është pothuajse në të gjitha shkollat ​​në të gjithë Spanjën”.

Për këtë temë biseduam me Irmina Weihan, mësuese e gjuhës angleze në një shkollë publike në Poloni, që ndodhet në qytetin Radom.

“Shkolla jonë fillon nga klasa 0, që është si përgatitje për klasën e parë. Digjitalizimi po zhvillohet. Në shkollën time kemi tabela të bardha me projektorë, kemi lidhje interneti dhe nxënësit përdorin telefonat e tyre personalë në klasë, me lejen e mësuesit. Para disa vitesh, qeveria u dha nxënësve laptopë, si atyre ashtu edhe mësuesve. Ne kemi edhe një lëndë TIK në mësimdhënie, ata mësojnë të programojnë dhe kodojnë dhe kanë edhe mësim për robotike”, thotë Weihan.

Irmina Weihan, mësuese e gjuhës angleze në një shkollë publike në Poloni. Foto: Meta.mk
Irmina Weihan, mësuese e gjuhës angleze në një shkollë publike në Poloni. Foto: Meta.mk

Duke folur për përvojën e mësimit online gjatë pandemisë, ajo tha se kjo mënyrë e të mësuarit nuk u tregua si një praktikë e mirë.

“Nxënësit nuk merrnin pjesë, kishin probleme me mikrofonat. Tani mësimin e realizojmë në mënyrë tradicionale. Gjatë punimit të detyrave të shtëpisë fëmijët përdorin inteligjencën artificiale dhe unë jam kundër kësaj. Por unë e di se si ta zbuloj nëse e kanë punuar vetë, i pyes se çfarë do të thotë ndonjë fjalë dhe nëse nuk e dinë, do ta di se e kanë përdorur internetin,” thotë ajo.

Gjatë leksioneve mësuesit në Poloni kanë përdorur mjete të ndryshme online. Me ndihmën e njërit prej tyre bëhen pyetje me përgjigje të mundshme, ndërsa nxënësit u përgjigjen atyre me telefonin ose laptopin e tyre.

“Ne kemi libra tradicionalë, por kemi edhe libra elektronikë. Në bibliotekën tonë ne kemi 14 mijë libra. Kur janë më të vegjël, nxënësve u pëlqen të lexojnë. Por si rriten kjo ndryshon, sa më shumë që rriten, aq më pak lexojnë dhe janë më të fokusuar tek telefonat e tyre. Tek ne lejohen të përdoren gjatë pushimeve. Në vend që të flasin me njëri-tjetrin gjatë pushimeve, ata ulen dhe e vetmja gjë që bëjnë është të shikojnë në telefonat e tyre. Janë të shumtë ata që janë shumë të varur prej tyre, ndaj u japim minuse për sjelljen e tyre nëse e përdorin telefonin gjatë orës së mësimit”, sqaron mësuesja.

Në Poloni, çdo nxënës merr një notë për sjelljen dhe një notë për arritje dhe njohuri. Nëse një nxënës e përdor telefonin shumë shpesh dhe ka shumë minusa, atëherë nota e sjelljes së tij është më e ulët dhe ajo regjistrohet në raportit përfundimtar për suksesin e nxënësit.

Mësuesit nga Turqia, Polonia dhe Spanja me një pjesë të kolektivit në "Panajot Ginovski". Foto: Meta.mk
Mësuesit nga Turqia, Polonia dhe Spanja me një pjesë të kolektivit në “Panajot Ginovski”. Foto: Meta.mk

Mësuesit nga Turqia, Spanja dhe Polonia do të qëndrojnë në Shkup për një javë. Drejtoresha e shkollës “Panajot Ginovski”, Bllagorodna Sotirov, thotë se koordinatori kryesor i këtij projekti është Spanja, pra projekti është miratuar nga agjencia kombëtare e Spanjës.

“Ky është mobiliteti i parë i mësuesve. Nxënësit janë të përfshirë në aktivitete lokale në shkollë. Ata ua prezantuan atyre përdorimin dhe xhirimet me dron dhe folën për përparësitë e dronit dhe se si ai mund t’i parandalojë ndryshimet klimatike. Në rastin me fshatin Stajkovci, nxënësit thanë se nëse do të kishte pasur xhirime me dron, ndoshta do të ishte parandaluar vërshimi që ndodhi atje. Përndryshe, projektet dhe vizitat e këtilla na mundësojnë që edhe ne si kolektiv të mësojmë nga kolegët tanë në Evropë, por edhe ata nga ne”, thotë Sotirov.

Kujtojmë se arsimin fillor dhe atë të mesëm në vitin 2023 e karakterizuan notate e dobëta nga Komisioni Evropian, mungesë e teksteve, pasiguri për mbajtjen e provimit të maturës shtetërore, nota të dobëta për nxënësit nga testi PISA dhe shumë probleme të tjera.