Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve në Media kanë reaguar në lidhje me apelin e Ministrisë së Shëndetësisë për të mos regjistruar, fotografuar ose marrë asnjë deklaratë nga njerëzit që po rehabilitohen nga lëndimet nga zjarri në Koçan, transmeton Portalb.mk.
Sipas tyre, thirrja ngre shqetësime serioze në lidhje me lirinë e medias, por edhe për mbrojtjen e interesit publik.
Siç thonë ata, gazetarët dhe punonjësit e medias e dinë më mirë, duke ndjekur rregullat dhe standardet e profesionit të tyre, kur, ku dhe si të marrin një deklaratë për një ngjarje që është me interes të lartë publik, siç është procesi i trajtimit të të lënduarve nga tragjedia në Koçan.
“Mediat që nga dita e zjarrit deri më sot kanë treguar kujdes dhe respekt për standardet profesionale, duke u kujdesur për ndjenjat si të viktimave ashtu edhe të familjeve të tyre”, thonë nga sindikata.
“Udhëzime të tilla, ose ndalime nga Ministria e Shëndetësisë, megjithëse të fshehura pas termit apel, përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm që potencialisht mund të përshkallëzohet në censurë, e cila është e ndaluar nga neni 16 i Kushtetutës. Ministria, por edhe institucionet e tjera shtetërore, duhet të jenë të vetëdijshme për qëndrimin e tyre dhe se “apele” të tilla në fakt përfaqësojnë presion institucional mbi lirinë e fjalës, si një e drejtë themelore, jo vetëm të medias, por edhe të të gjithë qytetarëve”, theksojnë ata.
Për apelin e MSH-së, kanë reaguar edhe nga SHGM dhe Komiteti i Helsinkit. Apeli i MSH-së cilësohet si jo adekuat dhe shumë afër censurës.