Komiteti Helsinkit: Shqetësim serioz apeli i MSH-së që mediat të mos fotografojnë ose filmojnë pacientët që trajtohen në spitalin në Koçan
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësim serioz për apelin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar mediave që të mos fotografojnë ose filmojnë pacientët që trajtohen në spitalin në Koçan, pasi u plagosën në zjarrin tragjik në diskotekën Puls, transmeton Portalb.mk.
“Edhe pse mbrojtja e privatësisë dhe dinjitetit të pacientëve është me rëndësi të madhe, gjendja dhe kushtet në të cilat trajtohen viktimat e kësaj tragjedie përfaqësojnë interesin më të lartë publik. Apelet që synojnë të kufizojnë mbulimin mediatik në situata të tilla janë problematike dhe përfaqësojnë një përpjekje të mundshme për të kufizuar institucionalisht lirinë e shprehjes dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Duke vepruar kështu, Ministria rrezikon të krijojë një praktikë të dëmshme që mund të çojë në censurë dhe kufizime arbitrare në punën e medias”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.
Nga aty theksojnë se etika gazetareske dhe standardet profesionale i nënshtrohen vetërregullimit dhe se organe të tilla si Këshilli për Etikën e Medias dhe Gjykata e Nderit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) janë kompetente për këto çështje.
“Neni 16 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut garanton lirinë e shprehjes, si dhe ndalimin e censurës. Udhëzime të tilla që vijnë nga institucionet shtetërore, edhe kur paraqiten si apele, mund të perceptohen si një formë e presionit institucional. Komiteti i Helsinkit i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të përmbahet nga vendosja e kufizimeve joformale në punën e medias dhe i inkurajon gazetarët të vazhdojnë të raportojnë profesionalisht, etikisht dhe me ndjeshmëri ndaj viktimave – por edhe me një ndjenjë të qartë përgjegjësie ndaj interesit publik”, thonë nga Komiteti i Helsinkit, duke përfunduar se çdo përpjekje për të kufizuar këto parime përbën një kërcënim për të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve.
Kujtojmë se, tentimin e Ministrisë që të imponojë rregulla e praktika për atë se si mediat duhet të raportojnë, posaçërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të ndjeshme me karakter publik e ka dënuar edhe SHGM.
Nga SHGM-ja u kanë bërë thirrje gazetarëve dhe punonjësve medial të vazhdojnë të raportojnë me profesionalizëm, etikë dhe ndjeshmëri, posaçërisht kur bëhet fjalë për ngjarje tragjike dhe grupe të ndjeshme. Por njëkohësisht, siç thonë, vërejmë se çdo përpjekje për kufizim institucional të qasjes deri te informatat dhe mënyra e raportimit është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin publik.
Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në rrjete sociale, mes tjerash kishte porositur:
“Të mos incizohen ose fotografohen personat që vizitojnë ose janë pjesë e seancave të rehabilitimit gjatë periudhës përderisa ata janë në qendrën turistike Ponikva ose në Spitalin e Përgjithshëm në Koçani, me qëllim ruajtjen e dinjitetit dhe qetësisë së këtij komuniteti”.