Ministria e Shëndetësisë ua ndaloi mediave ta xhirojnë rehabilitimin e të lënduarve në “Puls”, SHGM: Apelet e Ministrisë në kufirin e censurës
Me kumtesë tejet kontroverse, duke iu referuar “privatësisë së pacientëve” të lënduar në tragjedinë më të madhe në historinë më të re të Maqedonisë, zjarrin në diskotekën “Puls”, Ministria e Shëndetësisë pasditen e sotme ekipeve të gazetarëve ua ndaloi hyrjen në spitalin në Koçan ku po zhvillohet rehabilitimi i të lënduarve nga zjarri. Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë reaguan përmes një kumtese ku thonë se apelet e Ministrisë janë në kufirin e censurës, njofton Portalb.mk.
Në kumtesë në faqen Fejsbuk të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në mënyrë të këtillë do të mbrohet privatësia e pacientëve, megjithatë redaksia e “Slloboden peçat” informon se po merr sinjale nga kolegë të tyre të cilët kanë pasur përvojë ndryshe – pacientët të cilët janë në rehabilitim kanë pranuar të xhirohen dhe intervistohen, ndërsa drejtoria e spitalit dhe personeli mjekësor kanë qenë ata që e kanë pamundësuar informimin e gazetarëve në spital shtetëror i cili është i financuar nga taksat e të gjithë qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë në kumtesën e pasdites tejet papritur dhe befasishëm vendosi t’i dekurajojë ekipet e gazetarëve të raportojnë nga spitali në Koçan, madje edhe merr guximin t’u sugjerojë që të mos marrin marrin deklarata nga të lënduarit në zjarr “në format të shkruar, video ose audio” gjatë procesit të tyre të rehabilitimit” në spitalin në Koçan, si dhe në Ponikva.
Me qëllim që të mundësohen kushte optimale për këtë proces të rehabilitimit, Ministria e Shëndetësisë apelon deri te mjetet e informimit publik, në pajtueshmëri me kontekstin specifik, të vazhdojnë të monitorojnë situatën me kujdes të veçantë, etikë profesionale dhe solidaritet njerëzor në raportimin për personat të cilët janë lënduar në ngjarjen tragjike në Koçan.
“Sipas vlerësimeve të punonjësve shëndetësorë, çdo shkelje e privatësisë së tyre ose qasje invazive në media mund të shkaktojë trauma shtesë dhe ta bëjë procesin e rehabilitimit të tyre më të vështirë. Në këtë kontekst, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për sa vijon: E drejta e privatësisë së personave të lënduar dhe familjeve të tyre duhet të respektohet si një e drejtë themelore njerëzore. Të mos çrregullohen proceset e rehabilitimit të kryera nga ekipet mjekësore profesionale në Ponikva dhe Spitalin e Përgjithshëm në Koçan. Të mos incizohen ose fotografohen personat që vizitojnë ose janë pjesë e seancave të rehabilitimit gjatë periudhës përderisa ata janë në qendrën turistike Ponikva ose në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, me qëllim ruajtjen e dinjitetit dhe qetësisë së këtij komuniteti. Në të njëjtën kohë, të mos kërkohen dhe të merren deklarata në formë të shkruar, video ose audio nga të njëjtët persona gjatë procesit të tyre të rehabilitimit në objektet e përmendura paraprakisht. Besojmë se mediat kanë një rol thelbësor në informimin e publikut, si dhe në ndërtimin e empatisë dhe përgjegjësisë shoqërore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministria e Shëndetësisë në kumtesë me të cilën vendosi kufizim të raportimit të mediave megjithatë përkujtoi se “mediat kanë rol esencial në informimin e opinionit, si dhe në ndërtimin e empatisë dhe përgjegjësisë shoqërore”.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) me shqetësim e ndjek komunikimin publik të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin jepen apele deri te mediat të cilët janë kufizues për nga përmbajtja e tyre dhe paraqesin tentim për vendosje të praktikës së keqe institucionale në raportet me mediat.
“SI SHGM, e dënojmë tentimin e Ministrisë që të imponojë rregulla praktika për atë se si mediat duhet të raportojnë, posaçërisht kur bëhet fjalë për ngjarje të ndjeshme me karakter publik. Instruksionet e tilla, edhe pse formalisht të prezantuara si apele, në esencë janë formë e presionit institucional dhe censurë të mundshme, që është në kundërshtim me parimet themelore demokratike dhe të drejtën e lirisë së shprehjes. Përkujtojmë se neni 16 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut garanton liri të informimit publik dhe ndalesë të censurës, ndërsa çështjet e lidhura me etikën e gazetarisë dhe profesionalizmin i përkasin vetëm sferën vetërregulluese. Për ato çështje ekzistojnë Këshilli për Etikë në Media dhe Këshilli i nderit pranë SHGM-së, të cilët janë kompetentët e vetëm të vlerësojnë shkelje eventuale të normave etike”, thonë nga Shoqata.
Nga SHGM-ja u bëjnë thirrje gazetarëve dhe punonjësve medial të vazhdojnë të raportojnë me profesionalizëm, etikë dhe ndjeshmëri, posaçërisht kur bëhet fjalë për ngjarje tragjike dhe grupe të ndjeshme. Por njëkohësisht, siç thonë, vërejmë se çdo përpjekje për kufizim institucional të qasjes deri te informatat dhe mënyra e raportimit është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin publik.
Kujtojmë se, zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.