Sektori civil në RMV, skeptik për realizimin e ndalimit të paralajmëruar për TikTok-un
Shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut është skeptike në lidhje me ndalimin e paralajmëruar nga autoritetet për rrjetin social TikTok. Aktorët e shoqërisë civile me të cilët bisedoi Portalb.mk thonë se është e vështirë e realizueshme një ndalesë e tillë. Ata thonë se duhet edukim dhe masa parandaluese nga ana e autoriteteve për rreziqet e mundshme.
Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNShM) ka rezerva në lidhje me zbatimin e ndalimit të njoftuar për TikTok-un, kështu thotë për Portalb.mk, kryetari i këtij unioni, Lluka Paviqeviq.
“Gjegjësisht, asnjë vend më parë nuk e ka ndaluar plotësisht TikTok-in dhe ata që kanë zbatuar ndalesa e kanë ndaluar atë vetëm në pajisjet digjitale shtetërore për shkak të dyshimeve për spiunazh të mundshëm kinez. Për më tepër, çdo ndalim mund të anashkalohet lehtësisht përmes VPN-së, dhe gjithashtu adreson pasojat dhe jo shkaqet”, tha Lluka Paviqeviq.
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk vlerëson se ndërmarrja e një hapi të tillë do të ishte vështirë e realizueshme. Ata theksojnë se para marrjes së vendimit për ndalesë të një platforme sociale në vend, duhet të shteren të gjitha masat apo mundësitë alternative për zbutjen e dëmeve që burojnë nga ky rrjet-social.
“Më pas, në qoftë se as masat parandaluese në të cilat bëjnë pjesë përfshirja e edukimit-mediatik në shkolla, rritje të numrit të inspektorëve që kontrollojnë krimin kompjuterik dhe përforcim të këtij sektori brenda MPB-së si dhe rritje të politikave ndëshkuese aktualisht ekzistuese në vend për krimet përmes internetit, hapi i fundit duhet të jetë marrja e vendimit për mbylljen e kësaj platforme në vend. Pastaj, edhe pse duhet të kemi parasysh që një gjë e tillë thuajse është e pamundur të realizohet pasi sot çdo i ri ka njohuri si ndryshohet VPN-ja dhe lirisht do të mund të qaset në “Tik-Tok” përsëri, përfshirë këtu faktin që thuajse asnjë shtet në botë nuk ka ndërmarrë një hap të tillë dhe të jesh i pari, do të ishte vështirë e realizueshme”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim (CED), Metin Muaremi për Portalb.mk nënvizoi se nuk janë kundër përdorimit të platformës TikTok nga ana e të rinjve dhe të rriturve, por ata mendojnë se duhet të ketë kufizime për të njëjtat dhe përdorimin e tyre nga ana e fëmijëve nëpër institucionet arsimore.
“Ne besojmë se është e rëndësishme të mbahen kujdeset dhe kufizimet e nevojshme në përdorimin e tyre. Mendoj se duhet të vendoset në dukje nevoja për një punë të vazhdueshme dhe të ndjeshme në këtë drejtim dhe ngritjen e vetëdijes së fëmijëve dhe të rriturve për përdorimin e mediave online. Është e rëndësishme që ne të punojmë bashkë për të siguruar se fëmijët tanë dhe të gjithë përdoruesit e rrjetit social janë të ndërgjegjshëm dhe të informuar për kufizimet dhe rreziqet që mund të hasen në këtë medium online. Apelojmë që të gjithë palët e përfshira si fëmijët, prindërit, edukatorët, shoqërinë civile dhe qeverinë të bashkëpunojnë në këtë drejtim për të ngritur vetëdijen e tyre dhe për të garantuar një përdorim të përgjegjshëm dhe të sigurt të mediave online”, tha Metin Muaremi.
Edhe nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë së Veriut (KRNM) për Portalb.mk thonë se besojnë që masa e propozuar për të ndaluar ose kufizuar qasjen në platformën Tik-Tok nuk është një zgjidhje e plotë e problemit.
“Fatkeqësisht, incidente të tilla fatkeqe dhune të kryera nga të rinjtë kanë ekzistuar edhe para ekzistimit të platformës. Për të parandaluar situata të tilla që kanë ndodhur në të kaluarën dhe që po ndodhin sot, është e nevojshme të ndërmerren masa dhe veprime konkrete parandaluese që do të parandalonin abuzimet dhe do të mbroheshin të rinjtë, si për shembull investimi më shumë në përmirësimin e edukimit mediatik të të rinjve, mësimin e të rinjve. si të përdorin mediat sociale dhe teknologjinë për ndryshime pozitive sociale, si dhe aktivizimin e shërbimeve në shkolla (psikologë, pedagogë, etj.) për të ofruar mbështetje dhe hapësirë për të rinjtë ku ata mund të shprehen pa u gjykuar dhe të punojnë në parandalimin e dhunës”, thanë nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, të nxitur nga tragjedia e fundit në Serbi kanë dalë me propozime dhe deklarata për ndalimin ose kufizimin e rrjetit social TikTok në Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka thënë sot se po vazhdojnë takimet për kufizimin e përdorimit të rrjetit social Tik-Tok në shkollat fillore dhe të mesme.
“Sot do të vazhdojmë me takimet me institucionet që duhet të vlerësojnë se çfarë përmbajtje ka dhe si përdoret Tik-Tok. Nëse institucionet e sigurisë konfirmojnë, siç dihet, disa nga videot që janë konsideruar nga MPB-ja si material i keq së bashku me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe institucione të tjera në pjesën e domenit të funksionimit të Tikut, do të shqyrtojmë të gjitha mundësitë në mënyrën e përdorimit të tij si aplikacion”, tha Jeton Shaqiri.
Ai shtoi se do të analizohet mënyra e përdorimit të mjeteve të tjera dhe rrjeteve sociale, pra se si ka kufizime specifike në mënyrën e hapjes së tyre, konfirmimit të të dhënave, futjes së disa të dhënave etj. Për këtë do të diskutohet me psikologë, pedagogë, ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe me njerëz nga sektorët arsimorë të komunave.
LEXO: Shaqiri: Vazhdojnë takimet për kufizimin e Tik-Tokut
Dje reagoi edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA) lidhur me mundësinë e ndalimit të platformës Tik-Tok dhe rrjeteve tjera sociale në institucionet arsimore, deklaruan se censura është e rregulluar me Kushtetutën e vendit, prandaj qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet.
Deputetja dhe kryetarja nga Partia Liberal Demokratike (PLD), Monika Zajkova ditën e shtunë kërkoi që të ndalohet TikTok dhe rrjetet sociale që nxisin dhunën, pasi siç tha ajo, në vendin tonë kemi qenë dëshmitarë të viktimave nga përdorimi i rrjeteve sociale.
Ditën e njëjtë, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se do t’i propozojë Qeverisë së vendit dhe autoriteteve të sigurisë vlerësim urgjent të situatës së rreziqeve të sigurisë, të cilat sipas tij në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale si TikTok.
Megjithatë, për këto propozime nuk është vendosur ende nga autoritetet e vendit.
Për atë se a mund të ndalohet TikToku në Maqedoninë e Veriut dhe cilat janë mënyrat se si kjo mund të bëhet, Portalb.mk bisedoi me ekspertin e teknologjisë informatike, Lokman Musliun. Se çfarë tha ai, mund ta lexoni KËTU.
Këto reagime dhe nisma nga institucionet erdhën pasi në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua.
Para pak javësh Maqedonia e Veriut u përball me një skandal të madh “TikToku” ku një mjek anesteziolog incizoi drejtpërdrejt gratë në sallën e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës. I njëjti është në paraburgim. Ndërsa një vajzë në moshë të re vdiq nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.
Portalb.mk para dy javësh trajtoi edhe përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend.
- LEXO: Anesteziologut që publikoi në TikTok pamje të palejuara nga Spitali i Tetovës t’i zgjatet paraburgimi, kërkoi Prokuroria
- LEXO: Një vajzë 14 vjeçare humbi jetën pas zjarrit që ra në një cisternë në Shkup
- LEXO: Sfida për video virale rrezikon jetën e të miturve në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: RMV, qytetarët të tmerruar nga Tik-Tok sfida ku të rinjtë të shtrihen në rrugë derisa ndonjë automjet u afrohet