Eksperti i TI-së Musliu sqaron se TikToku në RMV mund të ndalohet, por qasja në të mund të bëhet përmes mënyrave tjera
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, të nxitur nga tragjedia e fundit në Serbi kanë dalë me propozime dhe deklarata për ndalimin ose kufizimin e rrjetit social TikTok në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë vendime konkrete për këtë nuk ka ende. Për atë se a mund të ndalohet TikToku në Maqedoninë e Veriut dhe cilat janë mënyrat se si kjo mund të bëhet, për Portalb.mk flet eksperti i teknologjisë informatike, Lokman Musliu.
Ai sqaron se është e mundur për një qeveri të ndalojë një platformë sociale në vend, dhe se kjo mund të bëhet në dy mënyra.
“E para është ndalimi në nivel të provajderëve: Qeveria mund të kërkojë nga furnizuesit e shërbimeve të internetit (Telekom, A1, etj. të bllokojnë qasjen në platformën sociale. Kjo mund të bëhet duke ndaluar qasjen në adresat IP të TikTok. Ndërsa e dyta është ndalimi në nivel shteti. Qeveria mund të ndalojë qasjen në TikTok në nivel shteti duke bllokuar qasjen në të gjithë infrastrukturën e internetit të vendit. Kjo mund të bëhet duke ndaluar qasjen në adresat IP të TikTok në kufijtë e shtetit, duke ndaluar DNS-në për këto adresa në nivel kombëtar, ose duke përdorur teknologji të tjera për të ndaluar qasjen nga përdoruesit në të gjithë vendin”, thotë Musliu.
Pavarësisht nga mënyra e ndalimit, ai sqaron se qytetarët kanë shumë mënyra për kyçyr në platforma sociale që janë të ndaluara.
“Këtu përfshihen përdorimi i shërbimeve VPN: Përdoruesit mund të përdorin shërbime VPN për të ndryshuar IP adresën e tyre dhe për të kyçen në platformën sociale nga një vend tjetër. Përdorimi i proxy serverave: Përdoruesit mund të përdorin proxy servera për të ndryshuar adresën e tyre IP dhe për të kyçen në platformën sociale”, tha Musliu.
Ai shtoi se pavarësisht nga mënyra e ndalimit të platformës sociale, ka shumë mënyra për të tejkaluar bllokimin dhe për tu kyçur në platforma sociale.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri pasi njoftoi se do t’i propozojë Qeverisë së vendit dhe autoriteteve të sigurisë vlerësim urgjent të situatës së rreziqeve të sigurisë, të cilat sipas tij në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale si TikTok. Ai dje njoftoi se vijojnë takimet për kufizimin e përdorimit të TikTokut në shkollat fillore dhe të mesme.
Qëndrimi përfundimtar për një masë të tillë, sipas Ministrisë së Shoqërisë Informatike mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet.
Deputetja dhe kryetarja nga Partia Liberal Demokratike (PLD), Monika Zajkova ditën e shtunë kërkoi që të ndalohet TikTok dhe rrjetet sociale që nxisin dhunën, pasi siç tha ajo, në vendin tonë kemi qenë dëshmitarë të viktimave nga përdorimi i rrjeteve sociale.
Megjithatë, për këto propozime nuk është marrë ndonjë vendim ende nga autoritetet e vendit.
Këto reagime dhe nisma nga institucionet erdhën pasi në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua.
Para pak javësh Maqedonia e Veriut u përball me një skandal të madh “TikToku” ku një mjek anesteziolog incizoi drejtpërdrejt gratë në sallën e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës. I njëjti është në paraburgim. Ndërsa një vajzë në moshë të re vdiq nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.
Portalb.mk para dy javësh trajtoi edhe përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale
- LEXO: Anesteziologut që publikoi në TikTok pamje të palejuara nga Spitali i Tetovës t’i zgjatet paraburgimi, kërkoi Prokuroria
- LEXO: Një vajzë 14 vjeçare humbi jetën pas zjarrit që ra në një cisternë në Shkup
- LEXO: Sfida për video virale rrezikon jetën e të miturve në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: RMV, qytetarët të tmerruar nga Tik-Tok sfida ku të rinjtë të shtrihen në rrugë derisa ndonjë automjet u afrohet