Ministri i Arsimit do t’i propozojë Qeverisë vlerësim për “TikTok” dhe rrjetet tjera sociale

Duke marrë parasysh zhvillimet në Serbinë fqinje dhe me qëllim të zvogëlimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve në mjedisin shkollor, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri njoftoi sot se do t’i propozojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe autoriteteve të sigurisë një vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si “TikTok”, transmeton Portalb.mk.

“Duke pasur parasysh se ato nuk duhet të përdoren në mjedise shkollore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë po harton protokolle dhe udhëzime për shërbimet profesionale të shkollave dhe arsimtarëve, me qëllim të minimizimit të rreziqeve, kurse përdorimi i tyre duhet të kufizohet ose të pamundësohet plotësisht. Ftoj të gjithë mësuesit, por edhe prindërit, në një dialog më të hapur, duke kapërcyer tronditjen dhe mosbesimin, nxitjen e mirëkuptimit dhe perceptimeve pozitive, për të ndihmuar fëmijën e tyre, por edhe fëmijët përreth nesh, sepse ato janë kategoria më e rrezikuar për momentin”, tha Shaqiri.

Ndër të tjera ministri tha se  do të forcohen më tej programet parandaluese për luftën kundër bullizmit, promovimi i mosdhunës dhe dialogut.

Ndalimin e “TikTok” dhe rrjeteve tjera sociale që nxisin dhunën në Maqedoni të Veriut, sot e ka kërkuar edhe kryetarja e Partisë Liberal Demokratike (PLD) njëkohësisht deputetja, Monika Zajkova.

Këto reagime vijnë pasi në më pak se 48 orë në Serbi ndodhën dy vrasje masive. E para ka ndodhur më 3 maj në një shkollë fillore në lagjen Vraçar të Beogradit, kur një nxënës 13-vjeçar i asaj shkolle vrau me armë nëntë persona, tetë prej të cilëve fëmijë dhe një i rritur. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar edhe gjashtë nxënës dhe një mësues. Vrasja e dytë masive ndodhi më 4 maj në afërsi të Mlladenovcit. Të paktën tetë persona vdiqën në sulm dhe 14 u plagosën. Sulmuesi i dyshuar, 21-vjeçari Uros B. u arrestua herët në mëngjesin e sotëm pas një kontrolli të gjerë nga pjesëtarët e Ministrisë.

Para pak javësh Maqedonia e Veriut u përball me një skandal të madh “TikToku” ku një mjek anesteziolog incizoi drejtpërdrejt gratë në sallën e gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës. I njëjti është në paraburgim. Ndërsa nëntorin e kaluar një vajzë në moshë të re pësoi djegie rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik. Alarmi  para disa muajve u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.