Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte: Duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët (VIDEO)
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot gjendet në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk. Rutte u prit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova në vilën “Vodno”. Në konferencën e përbashkët me presidenten, Rute lavdëroi përkushtimin dhe kontributin e ushtarëve të RMV-së në ruajtjen e paqes në pjesët lindore të NATO-s. Ai gjithashtu përmendi si pozitive buxhetin që ndan vendi për mbrojtje e cila është pak mbi 2% nga Bruto prodhimi vendor (BPV) , duke synuar arritjen e 5 përqindëshit siç pritet në vitin 2035. Ai tha se është e qartë se duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët, njofton Portalb.mk.
“Nuk është koha të jemi të kënaqur. Të gjithë partnerët duhet të bëjnë më shumë duke e rritur investimin në mbrojtje dhe duke i furnizuar plotësisht misionet dhe aktivitete e NATO-s. Kështu do të kemi më shumë siguri, rritje më të madhe ekonomike dhe më shumë vende pune”, tha Rutte.
Presidentja Siljanovska–Davkova e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Rutte se vendi po zbaton planin e investimeve në mbrojtje duke ndarë një përqindje të caktuar të PBB-së deri në vitin 2035 dhe po përmbush objektivat e aftësive.
“Është investim në sigurinë e përbashkët. Objektivi i investimeve në mbrojtje prej dy përqind është përmbushur dhe 30 përqind e tij është menduar për pajisje dhe modernizim”, tha Siljanovska–Davkova, duke theksuar se garancia më e madhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtjen nga ndikimet e palëve të treta është integrimi i menjëhershëm dhe i plotë politik në BE.
Rutte tha se Maqedonia e Veriut është aleat me vlerë i NATO-s duke kontribuar në shumë mënyra në mbrojtjen e përbashkët.
Ndër të tjera, ai përmendi ndihmën e RMV-së ndaj Ukrainës dhe rolin në misionet e NATO-s ku vendi merr pjesë, me theks të veçantë në KFORIN në Kosovë.
“Është e qartë se duhet të punojmë së bashku, Maqedonia e Veriut luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi strategjilke për aleancën”, tha Rutte.
Rutte e përmendi edhe Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara në korrik, ku një ndër temat do të jetë edhe rritja e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë.
Në videon më poshtë gjendet e gjithë konferenca për shtyp e Mark Rutte dhe Gordana Siljanovska Davkovës.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, u takua edhe me Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, në të cilin morën pjesë: koordinatorët dhe zëvendëskoordinatorët Nikolla Micevski, Jovanka Trençevska, Bekim Qoku, Rina Ajdari dhe Boban Karapejovski; shefi i Delegacionit Parlamentar në AP të NATO-s, Dragan Kovaçki dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.

Gashi, duke e uruar mirëseardhjen në Dhomën Ligjvënëse, e njoftoi mysafirin me situatën aktuale në vend, në dritën e tensioneve gjeopolitike aktuale në Lindjen e Afërt dhe luftës në Ukrainë. E theksoi politikën e përkushtuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut si një aleat i besueshëm që, si më parë, do të kontribuojë në mënyrë efektive në sigurimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale. Në kohën e pasigurisë globale në rritje, Gashi e theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta, dialogun e qëndrueshëm politik dhe përkushtimin e përbashkët ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë kolektive. Më pas, ai theksoi se anëtarësimi i vendit në BE nuk është vetëm çështje institucionale e anëtarësimit.
Në seancë të posaçme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute mbajti fjalim para deputetëve të Kuvendit.

Më pas Rutte u takua edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski, takim ku u diskutua nevoja për bashkëpunim me qëllim rritjen e sigurisë dhe paqes rajonale dhe globale.
Kjo është vizita e parë e Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.
Në vitin 2023, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, zhvilloi vizitë zyrtare në Maqedoni.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020 vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.