Sondazhi: 71% e evropianëve mbështesin krijimin e një ushtrie të BE-së

Krijimi i një ushtrie të Bashkimit Evropian mbështetet nga 71 përqind e të anketuarve evropianë në sondazhin e ri të institutit GLOBSEC. Raporti “Trendet 2026” tregon se qytetarët kërkojnë përgjegjësi më të madhe të Evropës për mbrojtjen e saj, transmeton Portalb.mk.

Sondazhi përfshiu 14 vende: 11 anëtare të BE-së, Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në.

Mbështetja për ushtrinë evropiane ishte më e lartë në Rumani, me 82 përqind, pasuar nga Lituania me 78 dhe Franca me 75 përqind.

Forcimi i mbrojtjes evropiane shihet si plotësim i NATO-s. Rreth 78 për ind e të anketuarve në vendet e BE-së mbështesin zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të bllokut krahas NATO-s, ndërsa 77 përqind e të anketuarve në vendet anëtare të NATO-s do të votonin për të qëndruar në të.

Mbi 80 përqind besojnë se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë nëse SHBA-ja zvogëlon angazhimin e saj. Megjithatë, vetëm gjysma besojnë se Evropa mund ta garantojë sigurinë pa mbështetje të fortë amerikane, ndërsa vetëm një e treta e konsiderojnë vendin e tyre të përgatitur për krizë të madhe ose luftë.

Raporti evidenton edhe mosbesim ndaj Uashingtonit, më shumë se një e treta e të anketuarve evropianë e shohin SHBA-në si kërcënim për sigurinë e vendit të tyre. Pavarësisht kësaj, mbi tre të katërtat vazhdojnë ta konsiderojnë të rëndësishëm rolin amerikan në sigurinë evropiane.

Rusia mbetet kërcënimi kryesor i jashtëm për më shumë se dy të tretat e të anketuarve.