Autobusi i “Durmos” ka qarkulluar 16 ditë pa regjistrim, eksperti Mirçevski: Arsyeja e aksidentit nuk është parregullsia e autobusit

Me siguri mund të themi se arsyeja e aksidentit nuk është parregullsia e autobusit nga aspekti makinerik. Sistemi i drejtimit të automjetit nuk ka pasur problem, ndërkaq problemet e sistemit të frenimit nuk janë arsyeja kryesore e aksidentit.
Kështu deklaroi në seancën e sotme gjyqësore ekspertit Damjan Mirçevski, i cili bashkë me tre kolegët e tij e kanë punuar superekspertizën makinerike për autobusin e aksidentuar të “Durmo Turs” i cili ka ndodhur në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seancë gjyqësore në të cilën ka vazhduar pyetja e ekspertit Damjan Mirçevski.

Pyetje ndaj tij, sot parashtruan avokatët, prokurori Darko Jakimovski, por edhe gjykatësja e lëndës Diana Gruevska Ilievska.

Eksperti Damjan Mirçevski, foto: Suad Bajrami
Eksperti Damjan Mirçevski, foto: Suad Bajrami

A pajtoheni me mendimin e ekspertit Qosevski, i cili në ekspertizë ka thënë që të ndalohet automjeti duhet që të ketë pasur ”Frenim para përplasjes” dhe me këtë do të liheshin gjurmë, pyeti Delo Kadiev, avokat i pronarit të të “Durmo Turs”, Durmish Beluhi.

“Nuk pajtohem se e vetmja mundësi që të parandalohej aksidenti është “Frenimi para përplasjes” ose siç mund ta quajmë frenim i menjëhershëm, pasi ekipi ynë nuk erdhi në konkluzion se sistemi i drejtimit të automjetit ka pasur problem. Me sistem të rregullt të automjetit mundet që të drejtohet automjeti në mënyrë të rregullt”, u përgjigj eksperti Mirçevski.

A ka pasur ndikim sistemi i frenimit në rrjedhën e aksidentit, parashtroi pyetjen tjetër Kadiev, ndaj çka mori përgjigje se “sistemi i frenimit nuk ka kontribuuar në arsyet e aksidentit”.

Avokati Kadiev e pyeti Mirçevskin, nëse frenat do të kishin qenë të parregullta a kanë mundësi që cilido shofer ta hetojë atë, për çka Mirçevski tha: Sistemi i frenimit është përfshirë në superekspertizë, mangësitë i kemi radhitur, në tabelën komanduese të autobusit ka indikatorë të cilat mund të shihen dhe hetohen nëse ka problem.

Mirçevski tha se nga ajo që kanë analizuar nuk ka reaguar asnjë shofer se autobusi në fjalë i ka pasur frenat e parregullta.

Autobusi i aksidentuar, 16 ditë ka qarkulluar pa regjistrim

Prokurori Darko Jakimovski pati disa pyetje për Mirçevskin, por më së shumti u ndal në atë se në autobusi i aksidentuar 16 ditë ka qarkulluar pa regjistrim.

“Ju thatë se nuk e shihni problematike se autobusi ka vozitur 16 ditë pa regjistrim, sipas meje, kjo flet për transportuesin karshi obligimeve që i ka ndaj komunikacionit, a pajtoheni me mua”, iu drejtua Jakimovski Mirçevskit.

“Ne s’kemi bërë revizion të mënyrës së punës së transportuesit e as jemi inspekcion për ta kontrolluar firmën”, iu përgjigj prokurorit Mirçevski.

Prokurori vazhdoi me pyetjen tjetër, duke i rikujtuar se pak më herët deklaroi se “frenimi i menjëhershëm nuk është mënyra e vetme për të frenuar”, ndërkaq Mirçevski e demantoi duke i theksuar se ka deklaruar “frenimi i automjetit nuk është e vetmja mënyrë për të parandaluar aksidentin, pasi që shoferi ka mundur ta drejtojë autobusin”. Sipas Mirçevskit, me sistem të rregullt drejtimi, automjeti mund të drejtohet.

Qeveria ka kërkuar sqarim për superekspertizën

“Ju keni thënë se nuk keni qenë në stacionin teknik ATM Gostivar [ku është bërë kontrolli teknik i autobusit të aksidentuar], megjithatë, në shkresën e Byrosë për Ekspertiza thuhet që keni qenë në stacionin për kontroll teknik”, iu drejtua prokurori Mirçevskit, duke i treguar një dokument, për çka shkaktoi reagim të ashpër nga avokatët, të cilët kërkuan që të mos merret parasysh pasi që e njëjta është po sillet për herë të parë dhe nuk është nxjerrë në procedurën dëshmuese.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Dokumenti është një përgjigje e drejtorit të Byrosë për Ekspertiza ndaj Qeverisë së Maqedonisë së veriut, në të cilën shpjegohet se ekspertët kanë realizuar vizitë në stacionin teknik, por duke mos e theksuar emrin e stacionit teknik.

Gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, e mori shkresën dhe më pas e sqaroi se ka keqkuptim pasi që shkresa i referohet vizitës së ekspertëve të superekspertizës makinerike në stacionin teknik “Boro Petrushevski Asuc” dhe jo “ATC Gostivar”. Dhe kjo mund të shihet në përgjigjen shtesë ndaj zv.kryeministrit të Qeverisë.

Diana Ilievska tha se Qeveria, përfaqësues të Qeverisë kanë kërkuar edhe nga Gjykata që të sqarojë për superekspertizën, megjithatë ajo tha se nuk është përgjigjur, pasi që, nuk kanë drejtë të përzihen në punën e gjyqësorit dhe se ata kanë për detyrë të përgjigjen vetëm para Këshillit Gjyqësor.

Në fund, Gjykata e pyeti ekspertin Mirçevski

“Gjatë kontrollit më 26.11.2022 a keni hetuar nëse indikatorët në tabelën komanduese të automjetit janë mbuluar me ngjitëse të zezë [që të mos duket drita e ndezur e indikatorëve]. Nëse ka pasur, a është dashur që të lejohet regjistrimi i automjetit dhe ku do të duhej të paraqitej ajo”, pyeti gjykatësja Diana Gruevska Ilievskia, ekspertin Mirçevski.

“Nuk kemi parë ngjitëse në tabelën komanduese. Pasi që automjeti ka qenë i ekspozuar për disa vite ndaj kushteve të ndryshme atmosferike, nuk mund ta dimë nëse më herët ka pasur dhe ato janë hequr. Indikatori ka funksion që të tregojë nëse ka parregullsi. Nëse gjatë regjistrimit ka indikatorë ç të ndezur], atë duhet ta vendosë në procesverbal. Kontrolli teknik i autobusit nuk është bërë sipas rregullave, ndërkaq në procesverbal nuk ka të shënuar indikatorë të tillë”, iu përgjigj Mirçevski gjykatëses.

Gjykatësja për në fund e pyeti ekspertin Mirçevskin se a mund të thuhet, në bazë të gjithë asaj që ata kanë punuar, por edhe që kanë dëgjuar dhe ajo që ka dalë nga pyetjet dhe diskutimi në gjykatë, se arsyeja e aksidentit është parregullsia teknik e autobusit.

“Me siguri mund të themi se arsyeja e aksidentit nuk del nga parregullsia e autobusit, gjegjësisht aspekti makinerik”, tha Mirçevski.

Në pesë seancat e fundit është pyetur eksperti Zekirja Zekiri, i cili bashkë me 3 kolegët e tij e ka punuar superekspertizën makinerike të autobusit të aksidentuar.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Nga seancat paraprake ku ka dëshmuar Zekiri:

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.