“Llaskarca”, kontrollorët fajësuan shoferin për aksidentin, avokati i shoferit: Ka vozitur autobus me mangësi teknike

Sot para Gjykatës Penale të Shkupit, mbaruan me fjalët përfundimtare avokatët dhe të akuzuarit e katërt Goran Dukovski dhe akuzuarit të pestë Jane Babavorvski, dhe avokati i shoferit i cili është i akuzuari i gjashtë Manoil Trifunovski në lidhje aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit në shkurt të vitit 2019-të, ku si pasojë humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan. Aktakuza do të shpallet më 25 janar, raporton Portalb.mk.

Të akuzuarit Dukovski dhe Babarovski, para Gjykatës mohuan fajësinë për rastin, ndërkaq fajtor për kryesor për aksidentin e autobusit theksuan se është shoferi.

Avokati i Goran Dukovskit, Sasho Dukovski, në fjalët përfundimtare u ndal në disa çështje të cilat sipas tij, kanë qenë kontestuese. Dukovski e theksoi tezën se aksidenti është shkaktuar për shkak të mosreagimit të shoferit.

“Është fakt se aksidenti është shkaktuar vetëm pr shkak të faktorit subjektiv, gjegjësisht mungesës së kujdesit të shoferit”, tha Dukovski, duke shtuar se autobusi në ditën e aksidentit ka udhëtuar dy herë paraprakisht në relacionin Shkup Gostivar dhe në të tretën herë kur ka vozitur Trifunovski, është ndalur nëpër semaforë dhe stacione për të marrë udhëtarë, dhe kjo tregon se frenat kanë punuar.

“Nuk janë të gjithë fajtorë. Fajtor është shoferi”, tha avokati Dukovski, duke shtuar se me këtë, Prokuroria kërkon që ta disperzojë fajin te të gjithë të akuzuarit.

Ai pati një sërë kritikash për përfaqësuesin e akuzës, Darko Jakimovski, duke theksuar se ai ka formuar koalicion të paligjshëm me të dëmtuarit dhe nuk ka vepruar si përfaqësues i organit shtetëror.

“Prokurori publik nuk ka vepruar si organ shtetëror, detyra e të cilit është që t’i përndjekë kryerësit e veprave penale, por veproi si avokat i vetëshpallur i të dëmtuarve, në korrelacion të drejtpërdrejtë dhe me shkeljen e dispozitave të LPP. Gjithsesi për këtë kishte ndihmë të madhe nga mbrojtja e të akuzuarit të gjashtë (shoferit)”, theksoi Dukovski.

Edhe vetë i akuzuari mori fjalën, në të cilën mohoi se është përgjegjës për fajin. Ai, madje në një rast e ftoi shoferin Manoil Trifunovski, i cili gjatë gjithë gjykimit mbrohet me heshtje të flet.

“Nëse ia lejon ndërgjegjja ose ata që i kanë thënë të heshtë, të ngritet dhe fillimisht të bëhet burrë sikur të gjithë të tjerët. Të drejtohet dhe ta drejtojë gishtin nga unë, por diçka le të flet. Njerëz kanë vdekur bre Manoil, ti hesht. Njerëz invalidë mbetën, ti heshtë. Sheh, nuk reagon. Ti Manoil ke folur në fillim, e di edhe vetë se ka edhe incizim ku flet, por pastaj heshte. Bravo Manoil, burrë i vërtetë”, tha i akuzuari Goran Dukovski.

Mbrojtja e të akuzuarit të pestë, Jane Babarovski, kryesisht u ndal në çështjen e vulës, që sipas tyre, është përdorur gjatë kontrollit teknik të autobusit të aksidentuar, por ai nënshkrim nuk ka vendosur.

“Nuk ka asnjë provë që e vërteton akuzën ndaj të akuzuarit Jane Bobarovski. Në procedurën e provave nuk është konfirmuar as motivi, qëllimi e aq më pak paramendimi i veprave që i ngarkohen. Ngjarja nuk ka ndodhur për fajin e të akuzuarit”, tha avokatja Ivanka Jakimovska.

Avokatja shtoi se madje, në ditën e kontrollit teknik më 2 korrik të vitit 2018-të, Babarovski nuk ka qenë fare në hapësirat e stacionit teknik, ndërkaq vula e tij është përdorur pa miratimin e tij.

“Nuk e ka ditur që është përdorur vula, po të mos kishte ndodhur ky rast, sipas të gjitha gjasave nuk do ta dinte se dikush e ka përdorur”, tha Jakimovska.

Ajo shtoi, se Prokuroria paraprakisht në akuzë ka theksuar se dokumenti i kontrollit teknik është vulosur dhe nënshkruar nga Babarovski, por në nëntor të këtij viti e ka ndryshuar akuzën duke theksuar se është bërë vetëm me vulën e Babarovskit, por jo edhe më nënshkrimin e tij.

Edhe vetë i akuzuari Babarovski, theksoi se “nuk ka nënshkruar procesverbal dhe nuk ka dhënë leje që autobusi të kalojë kontrollin teknik”.

“Të korrigjohet padrejtësia e cila më është shkaktuar nga Prokuroria Publike, e cila është paushallë”, tha Babarovski.

Pas kontrollorëve, i fundit dha fjalë përfundimtare avokati i shoferit Lupço Micevski. Ai në një fjalim të gjatë, sqaroi dhe mohoi të gjitha akuzat e Prokurorisë dhe tha se aksidenti nuk ka ndodhur për shkak të shoferit, por për shkak të parregullsisë së autobusit, të cilin ia ka dhënë firma “Durmo Turs”.

Ai disa herë insistoi se shoferi, nuk e ka ditur se autobusi ka pasur frena nën minimumin ligjor prej 45% efikasitet.

“Nuk ka asnjë provë se shoferi Manoil e ka ditur se ky autobus ka pasur parregullsi në sistemin për frenim dhe drejtim, por edhe se në dy kontrolle teknike është dhënë vërtetim se autobusi është teknikisht është i rregullt”, tha avokati Micevski.

Ai tha se herën e fundit që Manoil Trifunovski e ka vozitur autobusin e aksidentuar është 83 ditë para aksidentit dhe për këtë nuk ka pasur dijeni për gjendjen teknike të autobusit.

“Gjithashtu, shoferi Maoil Trifunovksi nuk e ka vozitur vetëm këtë autobus, prandaj dhe nuk e ka ditur gjendjen teknike”, shtoi Micevski.

Në lidhje me çështjen për mungesën e kujdesit të shoferit, avokati Micevski tha se fotografia nga ekspertiza tregon se timoni i autobusit pas aksidentit ka qenë i kthyer në të djathtë dhe me këtë, sipas tij, tregon se shoferi ka reaguar dhe ka tentuar që ta shmang aksidentit.

Ai gjithashtu i hodhi poshtë edhe superekspertizat makinerike dhe të komunikacionit, duke i cilësuar ekspertët se kanë fshehur të dhëna të rëndësishme me qëllim që t’i mbështesin pesë të akuzuarit e tjerë.

“Nuk mund t’i besohet një eksperti që emrin e vet e thotë ndryshe, ndërkaq në ekspertizë e shkruan ndryshe. Nuk mund t’i besohet një eksperti që në librin e tij shkruan ndryshe, ndërkaq këtu në gjykatë i kundërshton të njëjtat”, tha Micevski.

Sipas avokatit aksidenti nuk ka ndodhur për shkak shoferit, por për shkak të pesë të akuzuarve, të cilët i kanë dhënë autobus të parregullt dhe e kanë kaluar në kontroll teknik në gjendje të parregullt.

Gjykatësja i dha fjalë edhe shoferit Manoil Trifunovski, por ai tha se nuk ka asgjë për të thënë dhe se i mbështetë në tërësi fjalët përfundimtare të avokatit të tij.

Në seancat e kaluara, fjalë përfundimtare kanë dhënë mbrojtja dhe vetë pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli – i akuzuar i parë, i cili mohoi kategorisht përgjegjësinë për aksidentin në fjalë. Përgjegjësinë e mohoi edhe i akuzuari i dytë, Remzi Miftari, i cili sipas akuzës ka qenë përgjegjës për organizimin e transportit në kompani. Gjithashtu, edhe Igor Trajkovski – i akuzuar i tretë, udhëheqësi i stacionit teknik “AMZ Gostivar”, ku autobusi i ka kryer kontrollet teknike ka mohuar përgjegjësinë.

Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare deklaroi se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Ai kërkoi që të akuzuarit të dënohen, ndërkaq përveç kësaj t’u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së transportit.

Të dëmtuarit në fjalët përfundimtare thanë se e mbështesin plotësisht akuzën dhe kërkojnë ndjekje penale dhe dënim maksimal për të akuzuarit.

Sipas akuzës, tre të akuzuarit e parë akuzohen për “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”, ndërsa të akuzuarit e katërt, pestë dhe gjashtë për “Bashkëpunim në të njëjtën vepër”.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.