Tension në seancën e “Durmos”, ekspertët e superekspertizës ankohen se po keqtrajtohen nga avokati i shoferit  të autobusit

Sot, për të tretën seancë me radhë, avokati mbrojtës i shoferit të aksidentuar të “Durmo Turs”, ka parashtruar pyetje për Zekirja Zekirin, pjesëtar i ekspertëve që e kanë përgatitur superekspertizën makinerike për autobusin e aksidentuar më 13 shkurt të vitit 2019-të, ku humbën jetën 16 persona dhe 37 të tjerë u lënduan. Edhe sot, sikur në seancat paraprake pati tension mes palëve, ndërkaq ekspertët u ankuan se po maltretohen, raporton Portalb.mk.

Ashtu si në seancat paraprake, edhe sot, avokatët e pjesëtarëve të “Durmo Turs” thuajse ndaj të gjitha pyetjeve që i parashtronte avokati i shoferit të autobusit ndaj ekspertit Zekiri, kërkonin që Gjykata t’i hedh poshtë për shkak të përsëritjes dhe komentimit, por edhe se po keqtrajtohen qëllimisht ekspertët.

Lupço Micevski, avokati i shoferit Manoill Trifunovski, sot kishte përgatitur dhjetëra pyetje për ekspertin Zekiri në lidhje me literaturën dhe legjislativin e shfrytëzuar në supereskertizën e kryer.

“Keni shfrytëzuar literaturë ku s’ka asnjë shembull për sistemin e frenimit dhe drejtimit”, ishte njëra prej konstatimeve të Micevskit për çka priste përgjigje për arsyen e përdorimit nga eksperti.

Avokatja Ruzha Tomeska, bashkë me avokatët tjerë të “Durmo Turs”, reagoi duke theksuar që këtë pyetje dhe të tjerat të këtij llojit, të mos lejohen.

“Gjykata ta ketë parasysh se 3 seanca kolegu Micevski po e maltreton ekspertinç [Zekiri]”, tha avokati i përfaqësuesve të “Durmo Turs”, Lavdrim Seferi.

Avokati Sasho Dukovski, gjithashtu iu bashkëngjit ankesës ndaj pyetjes duke i thënë gjykatëses Diana GruevskaIlievskës  që të mbajë rendin pasi që “nuk lejohet të jepet mendim dhe interpretim për Ligjin për Procedurë Penale (LPP) dhe t’i thuhet avokatit [Micevski] që të mos manipulojë me LPP-në”.

Megjithatë, gjykatësja e lejoi pyetjen, ndërkaq eksperti Zekiri tha se literaturën e kanë shfrytëzuar aty ku kanë pasur nevojë.

“E kemi konsultuar literaturën, por të gjithën s’mundemi ta vendosim se do të ishte ekspertiza 700 faqe”, tha Zekiri.

Avokati Micevski vazhdoi me një sërë pyetjes në lidhje me literaturën e shfrytëzuar, ndërkaq për të njëjtat avokatët e “Durmos” ankoheshin te gjykata. Ai kërkoi nga eksperti Zekiri që të sqarojë nëse kanë konstatuar parregullsi të frenave para aksidentit.

“Sistemi i frenimit është problematik dhe këtë e thotë profesori Qosevski. Kjo nuk është kontestuese”, tha Zekiri.

Për të plotësuar kolegun e tij, u paraqit eksperti Damjan Mirçevski i cili tha se gjendja e frenimit është analizuar në pikën 2,3 të superekspertizës.

“Për shkak të mosmatjes së fuqisë së frenimit, nuk mund të konstatohet efikasiteti i sistemit të frenimit. Kemi bërë analizë të të dhënave dhe ekspertizave, por është fakt se s’ka prova dhe të dhëna për kryerjen e matjeve pas aksidentit, të cilat do të tregonin gjendjen e sistemit të frenimit. Superekspertiza është bërë në bazë të të dhënave ekzistuese dhe në asnjë mënyrë nuk kemi marrë të dhëna të reja”, tha eksperti Mirçevski.

Prokurori ndërhyri duke kërkuar sqarim, por eksperti Damjan Mirçevski tha se nuk ka të dhëna pasi që “ju keni bërë lëshim duke mos i kryer matjet”.

Kjo shkaktoi tension në seancë, për çka pati disa shkëmbime mes palëve dhe në një moment prokurori Darko Jakimovski tha se “sjellja e këtillë kauboji është e paparë”.

Edhe prej avokatit të shoferit, pati ndërhyrje duke theksuar se s’ka të drejtë që eksperti t’i drejtohet në atë mënyrë prokurorit.

Por, eksperti Damjan u arsyetua se për 8 seanca me radhë po maltretohen dhe se nëse dëshirojnë t’i maltretojnë ende do ta lëshojnë seancën.

“Kjo është seanca e tetë që deklarohemi. S’do të japim përgjigje për ato pyetje që s’jemi kompetent dhe nuk jemi profesionistë. Edhe sot vazhdohet të maltretohet eksperti, e lus gjykatën që të mos i lejojë këto pyetje”, tha Mirçevski duke kërkuar që të mbarojnë me pyetjet pasi që kanë edhe obligime tjera.

Megjithatë, Micevski vazhdoi edhe me një sërë pyetjesh për shiritin takografik, por edhe për gjurmët e frenimit, megjithatë këto u refuzuan nga gjykata, pas ankesës së palëve, nën arsyetimin se këto janë pyetje për ekspertët e komunikacionit.

Në pyetjen e gjykatëses së dytë të rastit, Aleksandra Risteska ndaj avokatit Micevski se edhe sa pyetje ka për ekspertin, ai u përgjigj se ka shumë.

“Sa janë shumë?”, pyeti sërish gjykatësja. “Shumë gjykatëse”, u përgjigj avokati.

Pas përfundimit të pjesës së parë, ekspertët në bisedë joformale me gjykatësen, ankoheshin se kanë obligime të tjera dhe se po maltretohen me pyetje për të cilat ose janë përgjigjur ose nuk janë në domenin e tyre.

Në dy seancat paraprake ka dëshmuar Zekirja Zekiri, anëtari i grupit të ekspertëve që kanë bërë superekspertizën makinerike të autobusit të aksidentuar.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Nga seancat paraprake ku ka dëshmuar Zekiri:

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button