Aktgjykimi për aksidentin e Llaskarcës, shoferi u dënua me 14 vite burg, pronari me 4 vite

Dy javë para përvjetorit të pestë të aksidentit tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, sot u shpall aktgjykimi për gjashtë të akuzuarit të cilët u gjykuan katër vjet e gjysmë për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Gjykata u shpalli të gjithë të akuzuarit fajtor, pasi autobusi ka qenë i parregullt, ndërkaq shoferi nuk ka pasur kujdes dhe ka vozitur mbi normën e lejuar të shpejtësisë, raporton Portalb.mk.

Të gjithë të akuzuar u dënuan me gjithsej 39 vite burg.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, u dënua me 4 vite burg.

I akuzuari i dytë, Remzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, u dënua me 6 vite burg.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar”, u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, u dënua poashtu me 5 vite burg.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski shoferi i autobusit të aksidentuar, u dënua me më së shumti vite burg. Ai do të jetë i privuar nga liria për 14 vite.

Ata janë shpallur fajtorë për mosrespektim të standardeve të transportit të udhëtarëve, duke shkaktuar rrezik për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve.

“Bëhet fjalë për një nga aksidentet më të mëdha të komunikacionit që tronditi thellë opinionin e gjerë maqedonas”, tha gjykatësja Dijana Gruevska me rastin e shqiptimit të aktgjykimit.

Gjykata përveç dënimeve vendosi t’u ndalohet ta ushtrojnë profesionin në lidhje me transportin e udhëtareve në afat prej 5 vjetësh.

Prokurori Darko Jakimovski tha se aktgjykimi ishte i pritshëm, por megjithatë paralajmëroi rishikimin e tij.

“Pritej që dënimet të mos i afroheshin minimumit ligjor të dënimit për këtë vepër që mund të variojë nga 4 deri në 20 vjet, në këtë drejtim sigurisht që dënimi do të rishqyrtohet dhe një hallkë e rëndësishme në përgjegjësi është sigurisht personi përgjegjës dhe pronari i kompanisë”, tha Jakimovski.

Për familjarët e viktimave në aksidentin e autobusit, Gjykata është treguar e butë ndaj të pandehurit të parë.

“Si mund të jemi të kënaqur, sidomos ndaj të akuzuarit të parë, mendojmë se dënimet janë minimale, ky ishte aksidenti më i rëndë në historinë e ekzistencës së Gostivarit”, tha njëri nga familjarët e të vdekurve pas leximit të aktgjykimit.

Gjykata i la në fuqi masat e kujdesit të gjithë të dënuarit, të cilat janë: të paraqiten në Gjykatë një herë në javë, u është marre pasaporta, ndalesë të kalimit të kufirit me letërnjoftim, ndalesë për tu afruar personave lidhur me lëndën dhe ndalesë për ushtrim detyre lidhur me transportin.

Pas dy javësh do të bëhen saktësisht 5 vjet nga aksidenti i tmerrshëm.

Në fjalët përfundimtare prokurori i lëndës Darko Jakimovski theksoi se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Familjarët e viktimave dhe të lënduarit mbështetën akuzën e Prokurorisë dhe kërkuan që të dënohen të gjithë të akuzuarit.

Nga ana tjetër, asnjëri prej të akuzuarve nuk e pranoi fajin, gjegjësisht të gjithë kërkuan që të lirohen nga akuza.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, ka mohuar kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident. Mbrojtja e Belulit, bazohet në teoritë që edhe gjatë gjykimit i kanë ngritur, se shoferi fare nuk ka reaguar dhe se aksidenti ka ndodhur për shkak moskujdesit të tij dhe shpejtësisë së vozitjes.

I akuzuari i dytë, Remzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, ka mohuar fajësinë për veprën që ngarkohet. Sipas avokates së tij, Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që ta dëshmojë akuzën, gjegjësisht veprën për të cilën ngarkohet.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar” ku autobusi ka kaluar kontrollet teknike, gjithashtu ka mohuar fajin. Sipas mbrojtjes së tij, Prokuroria me asnjë provë nuk e ka dëshmuar lidhjen shkak-pasojë mes aksidentit dhe veprën për të cilën ngarkohet i akuzuari.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu mohoi fajin për aksidentin dhe drejtoi gishtin kah shoferi duke theksuar se aksidenti ka ndodhur për shkak mosreagimit të tij.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar” ka mohuar fajin. Sipas tij, në ditën e kontrollit teknik të autobusit më 2 korrik të vitit 2018-të, ai nuk ka qenë fare në hapësirat e stacionit teknik, ndërkaq kolegët e kanë vulën e tij pa u dhënë ai leje.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, është i vetmi i akuzuar i cili gjatë tërë procesit gjyqësor është mbrojtur me heshtje. Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka mohuar fajin për aksidentin, duke drejtuar gishtin kah kompania se i ka dhënë autobus teknikisht të parregullt.

Ndryshe autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.