5 vjet nga aksidenti i autobusit të “Durmo Tursit” në Llaskarcë, 6 persona u dënuan pas gjykimit maratonik

Sot mbushen saktë 5 vjet nga aksidenti tragjik i autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 persona. Pas katër vjet e gjysmë gjykim, 6 persona u dënuan me gjithsej 39 vjet burg. Fajtor kryesor, sipas aktgjykimit është shoferi i autobusit, i cili mori dhe dënimin më të lartë me 14 vjet burg, ndërkaq pronari i kompanisë transportuese u dënua me 4 vjet burg, shkruan Portalb.mk.

Dy javë para përvjetorit të pestë të aksidentit tragjik të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë të Shkupit u shpall aktgjykimi për gjashtë të akuzuarit të cilët u gjykuan katër vjet e gjysmë për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Gjykata i shpalli të gjithë të akuzuarit fajtorë, pasi autobusi ka qenë teknikisht i parregullt, ndërkaq shoferi nuk ka pasur kujdes dhe ka vozitur mbi normën e lejuar të shpejtësisë.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, u dënua me 4 vite burg.

I akuzuari i dytëRemzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, u dënua me 6 vite burg.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar”, u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, u dënua poashtu me 5 vite burg.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu u dënua me 5 vite burg.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, u dënua me më së shumti vite burg. Ai do të jetë i privuar nga liria për 14 vite.

Palët kanë paralajmëruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Në fjalët përfundimtare prokurori i lëndës Darko Jakimovski theksoi se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Familjarët e viktimave dhe të lënduarit mbështetën akuzën e Prokurorisë dhe kërkuan që të dënohen të gjithë të akuzuarit.

Nga ana tjetër, asnjëri prej të akuzuarve nuk e pranoi fajin, gjegjësisht të gjithë kërkuan që të lirohen nga akuza.

I akuzuari i parë, Durmish Beluli – pronar i kompanisë “Durmo Turs”, ka mohuar kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident. Mbrojtja e Belulit, bazohet në teoritë që edhe gjatë gjykimit i kanë ngritur, se shoferi fare nuk ka reaguar dhe se aksidenti ka ndodhur për shkak moskujdesit të tij dhe shpejtësisë së vozitjes.

I akuzuari i dytëRemzi Miftari – përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs”, ka mohuar fajësinë për veprën që ngarkohet. Sipas avokates së tij, Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që ta dëshmojë akuzën, gjegjësisht veprën për të cilën ngarkohet.

I akuzuari i tretë, Igor Gjeorgjievski – udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar” ku autobusi ka kaluar kontrollet teknike, gjithashtu ka mohuar fajin. Sipas mbrojtjes së tij, Prokuroria me asnjë provë nuk e ka dëshmuar lidhjen shkak-pasojë mes aksidentit dhe veprën për të cilën ngarkohet i akuzuari.

I akuzuari i katërt, Goran Dukovski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar”, gjithashtu mohoi fajin për aksidentin dhe drejtoi gishtin kah shoferi duke theksuar se aksidenti ka ndodhur për shkak mosreagimit të tij.

I akuzuari i pestë, Jane Babavorvski – kontrollor teknik në “AMZ Gostivar” ka mohuar fajin. Sipas tij, në ditën e kontrollit teknik të autobusit më 2 korrik të vitit 2018-të, ai nuk ka qenë fare në hapësirat e stacionit teknik, ndërkaq kolegët e kanë vulën e tij pa u dhënë ai leje.

I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski – shoferi i autobusit të aksidentuar, është i vetmi i akuzuar i cili gjatë tërë procesit gjyqësor është mbrojtur me heshtje. Nëpërmjet avokatit të tij, ai ka mohuar fajin për aksidentin, duke drejtuar gishtin kah kompania se i ka dhënë autobus teknikisht të parregullt.

Ndryshe autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.