Scholz, Macron e Meloni do të takojnë së pari Kurtin e pastaj Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot do të qëndrojnë në Bruksel ku do të kenë takime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, transmeton Telegrafi.

I pari që do të nis këto takime është kryeministri Albin Kurti. Kurti do të nis takimin me krerët evropianë rreth orës 14:00

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Takimet janë paraparë të nisin në orën 14:00. Së pari kryeministri Kurti takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, dhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë”, ka thënë Stano.

Ai ka bërë të ditur se pas Kurtit, rreth orës 14:30 do të nis takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e BE-së dhe liderët gjermanë, francez e italianë.

Një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano u shpreh se këto takime janë mbështetje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”, është shprehur Stano.