Samiti i Procesit të Berlinit: BE-ja kërkon reforma nga Ballkani Perëndimor, ndërsa rajoni pret që edhe BE të veprojë

Forcimi i performancës ekonomike të vendeve të rajonit, nxitje për vazhdimin e reformave dhe thirrje e qartë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve përmes dialogut – këto janë mesazhet nga samiti i Procesit të Berlinit, që po mbahet sot në Tiranë. Takimi i këtij forumi, i cili organizohet për herë të parë në një vend nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vjen në një periudhë krizash të sigurisë, politike dhe humanitare – nga Kosova, përmes Ukrainës, deri në luftën Izrael-Palestinë, transmeton Portalb.mk.

“Unë besoj se mbajtja e Samitit këtu dërgon një mesazh të fuqishëm se sa të përkushtuar jemi për zgjerim. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor, këtu mund të përmirësohemi. Kjo është arsyeja pse unë prezantova planin e rritjes. Ne duam t’u japim atyre akses në tregun e përbashkët evropian. Për këtë duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnet për reforma do të marrin fonde nga Bashkimi Evropian. Është një nxitje për ata që duan vërtet të ecin përpara, të përmirësojnë ekonominë. Dyert tona janë të hapura, ndaj le të punojmë për përparim me këtë plan zhvillimi”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

Por, nikoqiri i Samitit – Kryeministri shqiptar i kujtoi kryesisë së Bashkimit Evropian se BE-ja nuk mund të presë vetëm që vendet e Ballkanit Perëndimor të japin rezultate, pa marrë asgjë në këmbim.

“Për të mbështetur mendimin tim për më shumë ndihmë të BE-së, shikoni këtë – fqinjët tanë të BE-së nga Bashkimi Evropian marrin 4,517 € për frymë në vit. Dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor marrin vetëm 138 euro, për frymë, në vit, përmes programeve evropiane. A nuk janë këto shifra një tregues i fortë i diferencës së frikshme, do të thosha klasore, që po thellonte në mënyrë progresive ndarjen mes nesh në të njëjtën shtëpi – Evropë”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.

Maqedonia e Veriut gjithashtu shpreson në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjes për Ballkanin në disa sektorë, kryesisht në energjetikë.

“Pritjet janë që të kemi diskutim konstruktiv, së pari në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal, në drejtim të rritjes së investimeve për lidhjen e rajonit, pra të të gjitha vendeve të rajonit, dhe veçanërisht bisedimet për sigurimin e pavarësisë energjetike dhe sigurimin e mjeteve financiare shtesë për pavarësinë energjetike të rajonit dhe tranzicionin e gjelbër të sektorit energjetik”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Një çështje e pashmangshme ishte pika nevralgjike në këtë pjesë të Evropës – marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat në vend të deeskalimit, kanë pasur një shtrëngim të vazhdueshëm. Gjermania, nismëtarja e procesit të Berlinit, është e qartë – është e nevojshme të qetësohet situata.

“Është koha për të kapërcyer konfliktet që kanë frenuar dhe bllokuar vendet tuaja për një kohë të gjatë. Përshkallëzimi i fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është kjo”, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Natyrisht, ne jemi në kërkim të një de-përshkallëzimi të situatës. Kohët e fundit kam folur me presidentin Vuçiq, sot do të flas me kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës dhe shpresojmë që të gjithë të ndihmojmë në uljen e tensioneve”, tha Mark Rutte, kryeministër i Holandës.

Për momentin, thirrjet nga Bashkimi, nga shtetet anëtare, por edhe nga SHBA nuk po japin fryte për normalizimin e situatës dhe rikthimin e dialogut Beograd-Prishtinë.

Delegacionin e Maqedonisë së Veriut e kryesojnë kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Kovaçevski në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, ka takuar sot kryetaren e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odil Reno-Baso, si dhe eurokomesarin Oliver Varheji.

Kovaçevski nga Tirana: Samiti do të sjellë marrëveshje të rëndësishme për ndërlidhjen rajonale dhe eurointegrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kovaçevski, në deklaratën e tij për shtyp tha se pritshmëritë janë që të ketë diskutim konstruktiv fillimisht në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal, në drejtim të rritjes së investimeve për ndërlidhjen e rajonit, gjegjësisht të të gjitha vendeve të rajonit dhe veçanërisht bisedimet për sigurimin e pavarësisë energjetike dhe sigurimin e burimeve financiare shtesë për pavarësinë energjetike të rajonit dhe tranzicionin e gjelbër të sektorit energjetik.

“Në mënyrë plotësuese, do të nënshkruhet një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave të farmacistëve, të akusherëve, të infermierëve që po vijnë si shtesë e asaj që nënshkruam në samitin e fundit, që ishte njohja e diplomave të mjekëve dhe të veprimtarive të tjera që rregullohen në përputhje me direktivat evropiane. Këtu në këtë Samit do të bisedoj edhe me Sholcin. Gjatë ditës, sot në mëngjes pata një takim me Komisionerin Varheji ku diskutuam për procesin e zgjerimit, fillimisht për procesin e shqyrtimit që është tashmë në fazën përfundimtare dhe drejt përgatitjes së raporteve përfundimtare, por diskutuam edhe lidhjen e vendeve nga Ballkani Perëndimor para së gjithash mendoj për ndërlidhjen digjitale, e cila është një nga kushtet për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal që do të jetë në përputhje me tregun e përbashkët evropian për krijimin e infrastrukturës dhe mekanizmave”, tha Kovaçevski.

“Gjatë ditës së nesërme do të kem një takim me nënkryetarin e Bankës Botërore, me të cilën do të diskutojmë për planin afatgjatë që kemi me Bankën Botërore, për të cilin diskutuam në Nju Jork për financimin e projekteve në Maqedoninë e Veriut në 4 vitet e ardhshme.

Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale. Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen, raporton A2news.

Sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nga kriminelë serbë të armatosur pritet të jetë temë e tryezës së procesit të Berlinit. Për këtë do të mendojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me Ana Brnabic dhe jo presidentin Aleksandër Vuçiq. Ashtu si në ministerialin e shefave të diplomacisë edhe në takimin e liderëve, Prishtina do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, si një kusht i vendosur për rinisjen e dialogut.

Samiti i Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Tiranë është i dhjeti në serinë e mbledhjeve të mbajtura në kuadër të tij. Për herë të parë, ai do të zhvillohet në një shtet joanëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë).

Për garantimin e rendit dhe sigurisë së personaliteteve evropiane që do të qëndrojnë në Tiranë për llogari të samitit janë angazhuar 1600 efektivë të policisë dhe 400 të tjerë të Gardës së Republikës.

Si pjesë të masave, përpos pengesave, policia e shtetit ka planifikuar rrugëkalime të shërbimeve të emergjencës.