Von der Leyen: Ata nga Ballkani Perëndimor që kanë vullnet për reforma do të marrin fonde

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se ata nga Ballkani Perëndimor që kanë vullnet për reforma do të marrin fonde nga BE. Duke folur përpara fillimit të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, von der Leyen tha se BE dëshiron t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor akses në tregun e përbashkët, por nevojiten reforma, transmeton Portalb.mk.

“Për ata që duan të ecin përpara dhe të përmirësojnë ekonominë, dyert tona janë të hapura. Një nga temat kryesore do të jetë ekonomia e Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse unë prezantova planin e rritjes. Ne duam t’u japim atyre akses në tregun e përbashkët evropian. Për këtë duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnet për reforma do të marrin fonde nga Bashkimi Evropian. Është një nxitje për ata që duan vërtet të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Në samitin në Tiranë është edhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, i cili tha se pret diskutim konstruktiv për rritjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe për rritjen e investimeve për lidhjen e rajonit.

Përveç Von der Leyen, në samit marrin pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

Ndryshe, liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në një vend joanëtar. Edhe këtë herë, në fokus do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë).