SALLA E KUQE

Orët poetike që organizoheshin në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës ndiqeshin nga studentët e filologjisë, historisë, pedagogjisë, elektroteknikës, makinerisë, mjekësisë, matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, bujqësisë, drejtësisë, ekonomisë, edukatës fizike… Për vonestarët s’kishte vend.

Me të përfunduar ora poetike fillonte protesta. Pastaj topat e ujit, gazi lotsjellës, shkopinjtë e gomës, pancirët, uniformat, sirenat, pizgauerët, plumbat…

Kohërat ishin të zymta dhe shpresat ishin të mëdha.

Në Sallën e Kuqe i lexonin poezitë e tyre poetët më të njohur të Kosovës. Poetë të Kosovës quheshin edhe ata që ishin nga Maqedonia, Mal i Zi, Lugina e Preshevës…

Edhe pse thuhej se poezia që krijohej në Kosovë ishte “hermetike”, megjithatë ajo komunikonte lirshëm dhe natyrshëm me lexuesit.

Lexuesit e kishin “kodin” për ta “zbërthyer” këtë “hermetizëm”. Poezitë flisnin për lirinë e munguar edhe kur s’përmendej fjala liri. Prandaj librat e poetëve të Kosovës lexoheshin shumë edhe nga studentët që nuk studionin letërsi. Nëpërmjet poezive, që e sfiduan tiraninë e kohës, e mësuam se çfarë është liria dhe pse duhej ta donim atë më shumë se gjithçka tjetër.

Shumë poetë, që lexonin në këto orë poetike, nuk janë në mesin tonë. Mungojnë: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Bedri Hysa, Basri Çapriçi, Bekim Lumi dhe shumë të tjerë. Mungon edhe Mirko Gashi, i cili adhurohej nga studentët dhe nuk përçmohej për mënyrën e veçantë të jetesës. Përkundrazi, ai vlerësohej për shkak të jetës së tij prej bohemi…

Poetët që janë gjallë dhe që lexuan poezi në këto orë poetike sot nuk janë në vëmendjen e publikut. Koha jonë vlerëson të tjerë emra dhe s’do t’ia dijë se “liria lind në ëndrrat e poetëve”, siç tha Oscar Wilde.

Unë pata fatin të isha në shumë orë poetike që mbaheshin në Sallën e Kuqe. Jetova në kohën e poetëve të mëdhenj dhe ky është një privilegj. Kisha edhe një ëndërr: të lexoja poezi në Sallën e Kuqe. Kushedi sa do të lumturohesha. Këtë lumturi s’ma dhanë as librat që botova, as leximet në vende të ndryshme të botës, as vlerësimet për librat që shkrova, as përkthimet e poezive të mia…

Ëndërroj një ditë që të rikthehem tek ajo sallë, Salla e Kuqe, për ta lexuar një poezi. Qoftë në heshtje. Edhe nëse salla do të ishte bosh.

Në atë sallë janë hijet e shumë poetëve që na mësuan të jemi të lirë në kohë robërie.

E sipërthëna mund t’i duket patetike brezit të sotëm, por jam shumë i sigurt se pjesëtarët e brezit tim, brezit të udhëkryqit, do të më japin të drejtë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.