Ende e paqartë nëse Fatmir Limani do mbetet ministër pas rikonstruimit të Qeverisë

Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami, ka paralajmëruar se ish-partiaku i tij, Fatmir Limani, nuk do të jetë përfaqësues i VLEN-it në pushtet. Ai tash është ministër aktual, por nuk dihet ende a do të jetë ministër pas rikonstruimit të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Nga kongresi i parë që mbajti VLEN-i, tanimë kemi një strukturë të re të VLEN-it që nga presidenca, lidershipi dhe kuvendi qendror. Në gjithë këto formacione politike të VLEN-it, Fatmir Limani nuk bën pjesë. Ai vetë vendosi dhe zgjodhi të vetëdistancohet, kështu që në bisedimet me kryeministrin ashtu si në herën e parë kur është formatuar Qeveria, por edhe në riformatimet e saj edhe tash, do të flasim si dy partnerë të koalicionit, ku çdonjëri do të propozojë kandidatët e tij që i ka. Kështu që në këto kombinatorika mund të them që Fatmir Limani nuk është pjesë”, thotë për Alsat, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.

Kryeministri Mickoski nuk ka marrë akoma ndonjë qëndrim rreth asaj se a do të vazhdojë Fatmir Limani të jetë ministër.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, i cili ka mosmarrëveshje me drejtuesit e VLEN, deklaroi në fillim të majit se ai dhe koalicioni qeverisës i partive shqiptare kanë mbaruar prej kohësh. Kur u pyet se si pjesë e cilës strukturë politike do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, Limani tha se nuk do të jetë pjesë e VLEN-it. I pyetur nëse aktualisht është ministër i VLEN apo i VMRO-DPMNE, ai tha se është ministër i të gjithë qytetarëve.