Rruga Industriale në Kumanovë çdo ditë shkatërrohet, kontrata për rikonstruim është nënshkruar por punimet nuk po fillojnë

Rikonstruimi i rrugës ‘Zona Industriale’ në Kumanovë vazhdon të zvarritet. Pavarësisht se kontrata për rikonstruim u nënshkrua para dy muajve, punimet nuk po fillojnë. Komuna e Kumanovës thotë se punët në terren pritet të fillojnë së shpejti, duke mos treguar se kur. Ndërkohë, gjendja e rrugës përkeqësohet vazhdimisht, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë lëvizjen për qytetarët, shkruan Portalb.mk. 

29 tetor 2025 Komuna e Kumanovës ka nënshkruar kontratë për rikonstruimin e rrugës ‘Industriale’ me ‘Koop Inxhenering’ në vlerë prej 75.847.527 denarëve. 

Megjithatë, punimet nuk kanë filluar ende.

Neni i katërt i marrëveshjes përcakton afatet kohore por nuk i konkretizon. 

“Kryerësi është i detyruar që punët e dakorduara të fillojë t’i kryejë pas kërkesës së dorëzuar paraprakisht nga një zyrtar i autorizuar i organit kontraktues dhe t’i përfundojë ato brenda afatit prej 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh pune”, thuhet në marrëveshje. 

Nga Komuna e Kumanovës për Portalb.mk thonë se dokumentacioni projektues dhe procedura e tenderimit ka përfunduar, por nuk tregojnë kur do të fillojnë punimet. 

“Realizimi i këtij projekti do të fillojë së shpejti, ndërsa dinamika e aktiviteteve të punës do të varet nga kushtet atmosferike”, thanë nga Komuna e Kumanovës.   

Kujtojmë që vitin e kaluar , banorët dhe afaristët që punojnë në rrugën “Zona Industriale” në Kumanovë, përmes një peticionit kërkuan nga Komuna e Kumanovës rikonstruimin e kësaj rruge. Por, e njëjta ishte refuzuar me arsyetimin se kjo rrugë nuk është pjesë e programit të tyre të vitit 2024 për ndërtim të rrugëve.

Më pas, në tetor 2024, Komuna e Kumanovës pati theksuar se e kanë porositur dokumentacionin për rikonstruiimin e kësaj rruge. Në prill dhe korrik të këtij viti komuna theksoi se përgatitja e dokumentacionit ishte në proces.