Çerdhja në Tearcë me dyer të mbyllura: Komuna hesht kurse Ministria e Financave nuk tregon kur do i miratojë punësimet

Edhe një vit tjetër po mbaron pa hapjen e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës e cila është ndërtuar prej vitesh. Kjo për shkak se institucionet me vite i kanë zvarritur procedurat kështu duke pamundësuar hapjen e institucionit i cili duhej të ishte gati në vitin 2023, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse muajt e fundit institucionet intensifikuan aktivitetet e tyre, përsëri çerdhja nuk është hapur.

Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Politikës Sociale, së fundmi kanë përfunduar procedurat si dhënia e pëlqimeve dhe miratimi i rregulloreve dhe planeve, të cilat zvarritën këtë proces.

Megjithatë procedura ka ngecur përsëri te Ministria e Financave e cila duhet të jep miratim financiar për punësime, pas së cilës çerdhja do mund të funksionojë.

Nga Ministria e Financave thonë se “u përgjigjen kërkesave brenda afatit të përcaktuar me ligj”, duke mos dhënë afat konkret se kur.

As nga Komuna e Tearcës nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske, pavarësisht se kryetari komunës, Daut Memishi gjatë fushatës zgjedhore premtoi se çerdhja do të hapet në ditët e para pasi ai të vijë në krye të komunës.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore edhe nga administrata e kaluar komunale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.