Rritja e rrogës në Maqedoninë e Veriut nuk do të varet nga dëshira e partive politike, vlerësoi kryeministri Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e ka vlerësuar kontributin e pushtetit dhe sindikatave në arritjen e Marrëveshjes Kolektive, përmes së cilës planifikohet zgjidhja sistematike e rritjes së pagës, transmeton Portalb.mk.

“Me arritjen e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, sigurohet zgjidhje sistematike që siguron rritje të vazhdueshme të rrogës. Së bashku me sindikatat arritëm deri te zgjidhja e pranueshme që nuk do të varet nga vullneti dhe dëshira e asnjë partie politike, sot e kurdo”, deklaroi Kovaçevski.

Ai përkujtoi që nga shtatori të gjithë të punësuarit në institucionet e sektorit publik do të kenë rritje të rrogës për 10 përqind, ndërsa pagesa regres për pushimin vjetor do të jetë 10 mijë denarë.

“Arritëm Metodologji të re të rrogave që do të zbatohet prej marsit të vitit 2025”, deklaroi Kovaçevski.

Ndryshe, më 18 korrik u nënshkruar Marrëveshja e re kolektive për sektorin publik ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jovanka Trençevska, më 10 korrik informoi se kanë arritur marrëveshje me sindikatat rreth rritjes së rrogës dhe çështje tjera. Prej shtatorit të këtij viti, pritet rritje e rrogës për 10 përqind.

Ministria e Financave sqaroi që gjatë bisedimeve u vendos që nga marsi i vitit 2025 metodologjia e re e pagave do të llogarit rrogën në bazë të formulës që do të varet nga koeficienti dhe paga mesatare bruto.

“U dakordua që regresi për pushimet vjetore të paguhet në vlerë prej 10.000 denarëve neto për vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e tutje në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive është rënë dakord që kjo vlerë të jetë së paku 30% nga paga mesatare neto”, raportoi Ministria e Financave.

Që të realizohet krejt kjo, ministri Besimi do të bën rebalanc te buxhetit në shtator, por nuk tregoi se për sa para do të ketë nevojë, sikur nuk tregoi se nga cilat fusha do të merren.