Rritja e rrogës prej shtatorit në RMV, sindikata me kërkesa të reja, Qeveria tekstin përfundimtar do ta shqyrtojë të martë

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot deklaroi se në mëngjes kanë mbajtur takim me ministrin e Financave dhe Lidhjen e sindikatave dhe se sindikatat ndërkohë kanë parashtruar kërkesa të reja para nënshkrimit të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, raporton MIA. Ajo tha se ato kërkesa do të shqyrtohen në Këshillin e ardhshëm socio-ekonomik që do të mbahet të martën dhe do të nënshkruhet marrëveshja.

“Sot në mëngjes patëm takim me ministrin e Financave dhe Konfederatën e sindikatave të cilat në takimin e kaluar u dakorduan me metodologjinë dhe me atë që ishte dakorduar, por ndërkohë dolën me disa kërkesa të reja. Do t’i shqyrtojmë edhe ato kërkesa dhe presim të martën të kemi Këshill socio-ekonomik ku do ta shqyrtojmë tekstin përfundimtar dhe do ta nënshkruajmë marrëveshjen e përgjithshme kolektive”, theksoi Trençevska.

Shtoi se kërkesat e reja janë në pjesën e organizatave të tyre sindikaliste në pjesën e arsimit dhe në pjesën e shëndetësisë.

“Të martën duhet ta kemi harmonizuar tekstin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive, ta shqyrtojmë në Këshillin socio-ekonomik së bashku me partnerët social dhe i njëjti të nënshkruhet”, theksoi ministrja Trençevska.

Ndryshe, Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jovanka Trençevska, më 10 korrik informoi se kanë arritur marrëveshje me sindikatat rreth rritjes së rrogës dhe çështje tjera.

Ministria e Financave sqaroi që gjatë bisedimeve u vendos që nga marsi i vitit 2025 metodologjia e re e pagave do të llogarit rrogën në bazë të formulës që do të varet nga koeficienti dhe paga mesatare bruto.

“U dakordua që regresi për pushimet vjetore të paguhet në vlerë prej 10.000 denarëve neto për vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e tutje në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive është rënë dakord që kjo vlerë të jetë së paku 30% nga paga mesatare neto”, raportoi Ministria e Financave.

Që të realizohet krejt kjo, ministri Besimi do të bën rebalanc te buxhetit në shtator, por nuk tregoi se për sa para do të ketë nevojë, sikur nuk tregoi se nga cilat fusha do të merren.