Rreth 600 euro rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut në muajin prill të këtij viti është regjistruar rritje e rrogës mesatare për 14.6 % në krahasim me prillin e vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Veprimtaritë financiare dhe të sigurimit (28.1%), Shërbime administrative dhe mbështetëse (21.7%) dhe Akomodimi dhe shërbimi ushqimor (17.8%)”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Rritje është regjistruar edhe në krahasim me muajin paraprak, sidomos te sektori për veprimtari financiare dhe të sigurimit për 14.7 %. Sektori më i paguar është Programimi kompjuterik, konsultimi dhe veprimtaritë e tjera rreth tij me një rrogë mesatare neto 90 628 denarë.

“Paga mesatare mujore neto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 36 134 denarë, ndërsa paga mesatare mujore bruto për të punësuar, gjatë muajit prill 2023, është 54 177 denarë”, theksoi Enti.