Pagat në ARM dhe në sektorin e Mbrojtjes nga janari do të rriten për 10 përqind

Të punësuarit në Armatë dhe në sektorin e Mbrojtjes nga janari i vitit të ardhshëm do të marrin paga 10 përqind më të larta, njoftoi sot ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Sipas vendimit, pagat në sektorin e mbrojtjes do të rriten nga 4.000 deri në 11.000 denarë, që në vlerë absolute, siç tha ai, është rritja më e madhe historike, transmeton Portalb.mk.

“Ky është historikisht rritja më e madhe në vlerë absolute. Kjo do të thotë se rritet paga bazë, por edhe të gjitha komponentët që përfshihen në pagë. Kam premtuar shumë herë se do të punoj së bashku me sindikatat dhe Armatën që ky institucion të jetë më i miri në shtet, ndërsa me këtë hap vërtet po bëhemi një nga institucionet më të mira në vend. Të punësuarit e meritojnë këtë, e meriton edhe Armata”, deklaroi Misajllovski në konferencën e sotme për shtyp.

Rritja e pagave, siç tha ministri i Mbrojtjes, është paraparë në Buxhetin për vitin 2027, i cili u miratua në seancën e Qeverisë të premten, ndërsa që nga e shtuna është në procedurë parlamentare.

Misajllovski falënderoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, për mundësinë që në Buxhetin për vitin 2027 të përfshihet rritja e pagave në Armatë dhe në sektorin e Mbrojtjes, si dhe projekte të tjera me rëndësi për Armatën.

Duke prezantuar propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm, ministrja Dimitrieska-Koçoska të premten tha se janë paraparë mjete në vlerë prej 2 përqind të BPV-së për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, modernizimin dhe pajisjen e Armatës, si dhe për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.