Kurti e Gërvalla shpalosën detaje nga takimi i ambasadorit të Kosovës në Beograd me 3 policët e kidnapuar

Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari sot është lejuar të vizitoj tre policët e Kosovës që aktualisht gjenden në paraburgim në Serbi, raporton Kallxo. Sipas institucioneve të Kosovës, policët në fjalë u kidnapuan më 14 qershor thellë brenda territorit të Kosovës.

Vizita e Jetish Jasharit u konfirmua nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se tre policët u vizituan nga ana e Jetishit ndaras.

“Ambasadori i ka vizituar sot të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. I ka vizituar ndaras njërin pas tjetrit, përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë, janë tri rrëfime, ndaras, identike të tre njerëzve të cilët thonë se në momentin e rrëmbimit më 14 qershor kanë qenë tek tryeza e improvizuar për të ngrenë, pra kanë qenë duke ngrënë drekë së bashku kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer” – ka thënë Kurti.

Për këtë rast ka folur edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ajo ka thënë se vizita është realizuar në qendrën e paraburgimit në Kralevë, ku tre policët janë duke u mbajtur që nga 16 qershori dhe të cilët, sipas ministres, prokuroria e lartë e Kralevës po i mbanë nën akuzën tashmë vetëm për armëmbajtje pa leje.

“Janë vizituar nga 15 minuta secili, dhe aty secili kanë përshkruar ngjarjen e rrëmbimit të tyre që nga momenti i kapjes deri tek dalja para gjykatës” – ka thënë ajo.

Tutje Gërvalla ka thënë se policët kanë theksuar se më 14 qershor 2023, rreth orës 12:30 minuta sa kanë qenë duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar.

“Më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë dhe të armatosur, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thasë në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre, pra tek makinat e forcave serbe” – ka thënë Gërvalla.

Tutje ajo ka shtuar se njëri nga policët ka theksuar gjithashtu se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër.

“Sipas gjitha gjasave mendon ai (njëri zyrtar policor) për të shkaktuar panik tek oficerët policorë dhe për ta bërë më të vështirë rezistencën e tyre. Pas kidnapimit të tyre ata janë dërguar fillimisht diku brenda territorit të Rashkës, ku pas rreth një ore kanë ardhur forca të tjera të sigurisë së Serbisë dhe janë dërguar në Beograd” – ka deklaruar ministrja Gërvalla.

Ajo tha se policët kanë treguar se gjatë 48 orëve nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo ata kanë thënë se gjatë kësaj kohe atyre nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm, vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë.

Për njërin nga policët që ka probleme shëndetësore, Gërvalla ka thënë se iu është dhënë një injeksion.

“Iu është dhënë një injeksion, nuk dihet me çfarë efekti dhe një pompë për frymëmarrje” – tha ajo.

Kurti gjithashtu ka thënë se të tre policët kanë qenë bashkë dhe që të tre thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori Jashari.

“Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata të cilët dëshirojnë të jenë skeptik për të drejtën e Kosovës se Serbia ka ushtruar agresion me 14 qershor dhe ka rrëmbyer tre policët tanë” – tha Kurti.

Tutje ai shtoi se vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej ku ishe gjetur vetura e policisë.

Më 14 qershor Policia ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Për lirimin e tyre deri më tani ka pasur kërkesa të shumta nga zyrtarët ndërkombëtarë e ata vendor.