RMV, u nënshkrua memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Këshillit Nacional për Barazi Gjinore

Sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ministrja Sllavjanka Petrovska dhe kryetarja e Këshillit nacional për barazi gjinore, Savka Todorovska, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili është bazë për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e barazisë gjinore dhe perspektivës gjinore, transmeton Portalb.mk.

Në takimin para nënshkrimit të memorandumit, ministrja Petrovska theksoi se vizioni i Këshillit Nacional për Barazi Gjinore për promovimin e të drejtave të grave si të drejta të njeriut dhe eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave me qëllim të ndërtimit të një shoqërie me mundësi të barabarta përputhen plotësisht me vlerat në mbrojtje dhe ushtri.

“Memorandumi do të jetë baza për bashkëpunimin tonë më të ngushtë. Çështjet e ndjeshme gjinore janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne. Ne do të bëjmë një plan të përbashkët të veprimit me aktivitete specifike dhe dinamikë të saktë dhe jemi të bindur se sugjerimet dhe puna e përbashkët do të sjellin rezultate edhe më të mira”, tha ministrja Petrovska.

Petrovska theksoi se bashkëpunimi me sektorin joqeveritar, veçanërisht për çështjet me rëndësi prioritare sociale, është më se i mirëseardhur dhe se Ministria është e hapur për të gjitha iniciativat që do të tregojnë se edhe mbrojtja edhe ushtria janë institucione në të cilat nuk ka diskriminim, se perspektiva gjinore është e skalitur fort në ndërgjegjësimin e të gjithë punonjësve dhe se kriteri i vetëm për përparim është profesionalizmi dhe përkushtimi i çdo punonjësi dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë.

Kryetarja e Këshillit Nacional për Barazi Gjinore, Todorovska, falënderoi ministren dhe Ministrinë për gatishmërinë e iniciativave të reja të përbashkëta në fushën e barazisë gjinore dhe tha se kjo është rruga e drejtë për një shoqëri plotësisht të barabartë dhe pa diskriminim mbi çfarëdo baze.

Mbrojtja është bartëse e Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”, çka tregon se kjo çështje është në krye të prioriteteve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria në nivel institucional është lider në zbatimin e politikave dhe praktikave për barazi gjinore dhe perspektiva gjinore është e integruar në dokumentet strategjike të Mbrojtjes dhe të Ushtrisë.

Kujtojmë se sot u zhvillua Konferenca Rajonale për Gjini dhe Siguri – Shkup 2024, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe ODIHR. Kjo konferencë po mbahet në prag të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas.