RMV, u arrestua edhe një person i përfshirë në sulmin e M-NAV

Është gjetur dhe privuar nga liria edhe një nga personat të përfshirë me urdhër hetimor për sulmin në M-NAV njoftoi Prokuroria Themelore Publike. Prokurori publik do t’i dorëzojë gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin i cili paraprakisht nuk ishte në dispozicion të organeve të rendit, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria Themelore Publike Shkup njofton gjithashtu se përkundër faktit se Gjykata Themelore Penale Shkup dje ka njoftuar se në rastin e ngjarjeve në M-NAV Këshilli Penal ka caktuar masa arrest shtëpiak për katër të dyshuar dhe “kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit Shkup në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimeve”, mirëpo Ligji për procedurë penale nuk i lejon prokurorisë ankesë ndaj vendimeve të marra.

Gjegjësisht, në pajtim me nenin 169 paragrafi 3 të Ligjit për procedurë penale, i cili po ashtu thuhet në udhëzimin juridik të vendimeve të miratuara, kundër vendimit të Këshillit ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve vetëm i akuzuari dhe për këtë ankesë vendos këshilli i gjykatës më të lartë.

Për këtë tashmë ka një praktikë gjyqësore paraprake të Gjykatës së Apelit, ndaj Prokuroria duhet të respektojë vendimin e Gjykatës, edhe pse ende mendon se masa e arrestit shtëpiak dhe masat shtesë të sigurimit të përcaktuara nuk mjaftojnë për sigurimin e të dyshuarve dhe mbrojnë procedurën.

Kujtojmë se dje tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese. Inspektorët me mbikëqyrjen kanë vazhduar edhe sot, sepse bëhet fjalë për dokumentim të madh dhe voluminoz, tha drejtoresha e ISHP-së, Vesna Tomovska.

Ndërkohë, Gjykata Themelore Penale e RMV-së, në seancën publike të zhvilluar dje, caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe tre personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.

Policia Financiare gjithashtu kreu kontroll në ndërtesën administrative të M-NAV-së në qendër të Shkupit për të hetuar mbi operacionet financiare të kompanisë, por edhe të Sindikatës, prokurimin publik dhe, siç theksohet në njoftimet dhe procedurat e punësimit.

Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq.

Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror. Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës.