RMV, TVSH-ja për produktet menstruale do të ulet nga 18 në 5 përqind

Me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria në seancën e djeshme përcaktoi tekstet e tri projektligjeve, dispozitat e të cilave janë të harmonizuara me direktivat e Bashkimit Evropian dhe të drejtën evropiane, përfshirë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi Tatimin e vlerës së shtuar, transmeton Portalb.mk.

“Po ulet norma nga 18% në 5% për shitjen e produkteve menstruale me qëllim nxitjen e mbrojtjes dhe higjienës më të madhe tek një grup i caktuar qytetarësh; ulet shkalla e taksës për tekstet dgjhitale; shkalla e TVSH-së rritet nga 5% në 10% për produktet për konsum njerëzor që nuk janë pjesë e produkteve bazë të nevojshme për konsum njerëzor; Shkalla e taksës për qarkullimin dhe importin e peletit, sobave me pelet dhe kaldajave me pelet rritet nga norma tatimore preferenciale prej 5% në normën e rregullt prej 18%”, njofton Qeveria.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi reformën tatimore dhe uljen e TVSH-së për produktet e higjienës menstruale nga 18 në 5 për qind në dhjetor të vitit të kaluar pasi shoqatat dhe aktivistët apeluan për uljen e taksës për këto produkte.

Sipas rezultateve të studimit për aksesin në higjienën menstruale në vend me titull “Drejtësia menstruale: vlerësimi i situatave të varfërisë menstruale dhe rekomandime për përmirësimin e politikave” nga “Tiiiit!” Inc dhe Reactor, 77 për qind e grave dhe vajzave të anketuara shpenzojnë nga 101 deri në 400 denarë në muaj për produkte menstruale, ose mesatarisht 265,54 denarë.

Prej aty për një vit femrat shpenzojnë 3186,48 denarë për produkte menstruale. Nëse periudha riprodhuese e gruas zgjat nga 12 deri në 52 vjet, mesatarisht shpenzohen 127.459,2 denarë për produkte menstruale.

Qeveria në seancën e djeshme përcaktoi tekstin e projektligjit për taksën e solidaritetit.