Mjeku nga Gostivari garon për deputet në Kroaci për të rregulluar statusin e shqiptarëve atje

Shtetasi i Maqedonisë së Veriut, po futet në garë për deputet si i pavarur në Kroaci. Kështu, shqiptarët po punojnë për tu trajtuar me dinjitet, duke qenë të suksesshëm në bizneset e tyre dhe së fundmi duke kërkuar përfaqësim të drejtash në parlament. Për Portalb.mk ju sjellim një pasqyrë të shkurtër se kush është mjeku Shoip Shoipi.

Afishe e kandidimit
Afishe e kandidimit

Shoip Shoipi me prejardhje nga rrethina e Gostivarit, shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmen në Tetovë, studimet i kreu në Universitetin e Zagrebit, është specialist-urolog, subspecialist në onkologji urologjike, ku dhe ka doktoruar në shkencat biomedicinale.

Punon në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb. Shoipi thotë se jemi si kroatët në kuptimin që e mbajmë mend të mirën dhe të keqen duke aluduar në kohën e krizës në Kroaci ku shqiptarët me biznese atje i kanë ndihmuar shtetit kroat me punësime dhe me gjenerimin e mjeteve në sistemin e tyre ekonomik.

Ai thotë se rinia e sotme është e shkolluar dhe kanë filluar të futen ne institucione të rëndësishme të vendit, jo vetëm në shtetin kroat por kudo ku ka shqiptarë.

Mjeku në fjalë thekson se po të fitojë mandatin ai do t’i përfaqësojë mirë pakicat shqiptare, malazeze, boshnjake, maqedonase dhe sllovene. Këto pakica kanë të drejtë për një mandat, për dallim nga serbët dhe hungarezët që kanë nga tre vende përfaqësimi.

Ai thotë se ka qenë rinia që e ka përzgjedhur t’i përfaqësojë duke e pasur parasysh autoritetin e tij si mjek dhe si kontribuues e ruajtës i kulturës dhe gjuhës shqipe atje.

Mjeku Shoipi premton se do të kujdeset t’u jap përgjigje plot pyetjeve që kanë ngelur të hapura mes shqiptarëve dhe shtetit kroat, si puna e pensioneve të të plagosurve, dëshmorët që luftuan atje, stazhit, pantentave të shoferit të cilat nuk pranohen atje, dokumentacioneve të ndryshme nëse duan të vijnë të punojnë atje, po ashtu është mirë të arrijmë të ndajmë bursa për studentët dhe mjekët që të vinë të mësojnë atje, pasi tradita shumëvjeçare e universiteteve atje do ju jap një përvojë dhe edukim cilësor.

Afishe e kandidimit
Afishe e kandidimit

Ai thekson se ne shqiptarët gjithnjë jemi përfaqësuar nga boshnjakët dhe kësaj radhe duam të provojmë të përfaqësohemi dhe ne. Për fund dua të theksoj se do kujdesemi që shqiptarët që vinë për mjekim atje të kenë lehtësim, pasi paguajnë shumë të madhe. Të gjitha këto çështje do t’i kërkojmë bashkë edhe me hapjen e shkollave shqipe atje që fëmijët tanë të mësojnë edhe në gjuhën e tyre pasi ka filluar asimilimi i diasporës shqiptare dhe kjo është keq.

Ne po sjellim dhe prononcimin e mjekut në rrjetet sociale, së bashku me udhëzimet e votimit.

”Të dashur shqiptarë, boshnjakë, malazezë, maqedonas, sllovenë, miq të dashur

Vizioni ynë është një shoqëri ku të drejtat dhe identitetet e të gjithëve respektohen dhe mbrohen, ku çdo individ, pavarësisht prej apartenencës kombëtare, ndihet i respektuar dhe i përfshirë.

Nëpërmjet programit tonë, dëshirojmë të sigurojmë hapa konkrete që do të ndihmojnë në realizimin e këtij vizioni, duke ndërtuar themelet për një shoqëri inkluzive dhe multikulturore që kultivon ndryshimet si forcën e saj.

Prandaj, dilni në zgjedhje më 17 prill sepse është koha për më të mirën.

Në stacionin e votimit, duhet të vini me kartën e identitetit ose pasaportën kroate dhe të kërkoni listën zgjedhore për pakicat kombëtare. Nëse jeni shtetas kroat dhe shpalleni si shqiptar, boshnjak, malazez, maqedonas ose slloven, në stacionin e votimit do të merrni fletën e votimit për njësinë zgjedhore XII, në të cilën është kandidati Shoip Shoipi. Rrethoni numrin e rendit përpara emrit.

Nëse nuk jeni shpallur si anëtar i ndonjë nga pesë pakicat kombëtare të përmendura më lart, mund ta ndryshoni këtë nëpërmjet sistemit e-qytetar ose në zyrën më të afërt të gjendjes civile. Afati për zgjidhjen e kësaj çështjeje është deri më 6.4.2024.

Nëse ndodheni jashtë vendndodhjes në Kroaci ose në një vend tjetër, mund të përdorni të drejtën tuaj në zyrat diplomatike ose konsullore. Për këtë, gjithashtu duhet të regjistroheni, dhe për këtë ju lutemi kontaktoni në WhatsApp në numrin +385912004630. Afati për këtë është deri më 6.4.2024.”